Fatmir Shehollit i është gjetur edhe një dokument tjetër i nënshkruar nga një zyrtar i lartë i Sigurimit Shtetëror Serb.

Prokuroria Speciale, pas analizimit të këtij dokumenti të emërtuar “Leptiri” thotë se bëhet fjalë për një dokument të vitit 2001 të përpiluar nga strukturat e Sigurimit Shtetëror Serb dhe që ka të bëjë me komprometimin dhe rekrutimin e Albin Kurtit (kryeministër në detyrë i Kosovës) gjatë kohës që mbahej i burgosur në Serbi.

“Nga analiza e dëshmisë, përkatësisht dokumentit të emërtuar “Leptiri”, të gjetur në telefonin e të pandehurit Fatmir Sheholli, rezulton se bëhet fjalë për një dokument i përpiluar nga struktura të Sigurimit Shtetëror të Serbisë (RDB) në vitin 2001, i cili përshkruan një plan operativ për komprometimin dhe rekrutimin e Albin Kurtit gjatë kohës së vuajtjes së dënimit në burgjet e Serbisë. Sipas përmbajtjes së dokumentit, parashihej përdorimi i një burimi operativ me nofkën “Leptiri” për sigurimin e materialeve komprometuese, me qëllim të ushtrimit të presionit ndaj tij për bashkëpunim me RDB-në”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

Në aktakuzë e disponuar nga korrespondentja e Top Channel, Leonita Bajrami, thuhet se Sheholli këtë dokument e ka shpërndarë te disa persona dhe ka kërkuar përkthimin e tij nga gjuha serbe në gjuhën shqipe.

“Këto veprime, të vlerësuara së bashku me komunikimet dhe materialet e tjera të evidentuara në telefonin e të pandehurit, janë relevante për të dëshmuar kontaktet, lidhjet dhe bashkëpunimin e tij me persona dhe struktura të ndërlidhura me shërbimet e sigurisë serbe, si dhe rolin e tij në përcjelljen dhe shpërndarjen e materialeve me origjinë nga këto struktura”, thuhet në aktakuzë.