Statusi i ulët socio-ekonomik, mungesa e strehimit, arsimi i kufizuar dhe vështirësia për të siguruar një punë të ligjshme janë ndër faktorët që mund të rrisin rrezikun që burrat dhe djemtë shqiptarë të bien viktima të trafikimit.
Përfundimi përfshihet në udhëzimin e ri të Home Office, i cili ndryshon mënyrën se si do të vlerësohen kërkesat për azil të viktimave meshkuj të trafikimit nga Shqipëria.
Dokumenti pason një vendim të ri të Gjykatës së Apelit në Mbretërinë së Bashkuar, të shpallur më 13 gusht 2026. Gjykata arriti në përfundimin se meshkujt shqiptarë që kanë qenë viktima të trafikimit përbëjnë një “grup të veçantë shoqëror” për qëllimet e Konventës së Refugjatëve. Kjo nuk do të thotë se çdo viktimë shqiptare fiton automatikisht të drejtën e azilit: secili duhet të provojë se rreziku i persekutimit lidhet me statusin e tij si viktimë trafikimi dhe se ekziston rrezik real në rast kthimi.
Udhëzimi i ri identifikon një sërë dobësish ekonomike dhe sociale që mund ta bëjnë një person më të ekspozuar. Krahas statusit të ulët socio-ekonomik dhe të pastrehëve, Home Office rendit nivelin e ulët të arsimit dhe vështirësinë për të gjetur punësim të ligjshëm, problemet e shëndetit fizik ose mendor, varësitë, origjinën nga zonat rurale ose veriu i Shqipërisë, moshën e re dhe mungesën e një rrjeti familjar ose social mbështetës. Sipas dokumentit, edhe një faktor i vetëm mund të jetë i mjaftueshëm për të shtuar vulnerabilitetin në rrethana të caktuara.
Gjykata britanike thekson se nuk është vetëm një lloj kategorie e meshkujve shqiptarë që përfundojnë viktimë trafikimi. Megjithatë, në rastet e shqyrtuara përsëriten disa karakteristika: viktimat janë shpesh adoleshentë ose të rinj, vijnë nga familje më pak të pasura ose të margjinalizuara dhe kanë arsim të kufizuar. Në vitet e fundit është vënë re gjithashtu një ndryshim në natyrën e trafikimit nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar. Ndërsa më parë trafikimi drejt vendeve evropiane lidhej kryesisht me gratë dhe shfrytëzimin seksual, është rritur prania e meshkujve të trafikuar për punë të detyruar, përfshirë shfrytëzimin në tregtinë e drogës dhe kultivimin e kanabisit.
Po kështu, po fiton peshë është rekrutimi përmes internetit. Home Office vlerëson se rrjetet sociale po përdoren gjithnjë e më shumë për të tërhequr viktimat, ndërsa në këto raste ka më shumë gjasa të përfshihen rrjete të organizuara kriminale. Rrëmbimi i drejtpërdrejtë i personave me qëllim trafikimin, nga ana tjetër, nuk konsiderohet një formë e zakonshme rekrutimi.
Mungojnë strehët e posaçme për meshkujt
Megjithëse autoritetet britanike vlerësojnë se Shqipëria ka bërë përpjekje të konsiderueshme në luftën kundër trafikimit dhe se, në përgjithësi, ekziston mbrojtje e mjaftueshme për meshkujt e rritur viktima, dokumenti evidenton boshllëqe në sistemin e riintegrimit. Një prej tyre është fakti se në Shqipëri nuk ka një strehë të posaçme për meshkujt e rritur viktima të trafikimit. Akomodimi me qira mund të sigurohet me ndihmën e organizatave joqeveritare, ndërsa ofrohen edhe mbështetje shëndetësore, ndihmë për punësim dhe mbështetje financiare.
Edhe mundësitë për riintegrim ndryshojnë ndjeshëm sipas zonës. Gjykata vëren se Tirana ofron më shumë mundësi për viktimat që përpiqen të rindërtojnë jetën pas trafikimit, ndërsa në zona të tjera mungesa e banesave sociale dhe e mbështetjes për qiranë nga autoritetet lokale e bën këtë proces më të vështirë. Megjithatë, zhvendosja brenda vendit nuk konsiderohet gjithmonë një zgjidhje. Nëse një viktimë ka nevojë për strehim të mbrojtur për shkak të rrezikut nga trafikantët, gjykata vlerëson se transferimi në një zonë tjetër të Shqipërisë mund të mos jetë i mjaftueshëm për të garantuar sigurinë.
Në rastet kur trafikantët vazhdojnë ta kërkojnë viktimën, por rreziku nuk është i tillë sa të kërkojë qëndrim në strehë, Home Office thotë se zhvendosja jashtë qyteteve të mëdha mund të mos jetë e sigurt. Edhe siguria në Tiranë, Durrës, Vlorë, Elbasan apo Shkodër duhet të vlerësohet sipas fuqisë dhe shtrirjes së rrjetit kriminal, lidhjeve të mundshme që ai ka me autoritetet dhe vulnerabilitetit të personit.
Dokumenti identifikon si pengesa të tjera për riintegrimin stigmën sociale ndaj meshkujve që pranojnë se kanë qenë viktima trafikimi, frikën nga grupet e organizuara kriminale, gjendjen ekonomike dhe kufizimet në kapacitete, financime e burokraci të shërbimeve mbështetëse. Home Office nënvizon se pamundësia për t’u rehabilituar ose për të aksesuar mbështetjen mund të rrisë përsëri rrezikun e trafikimit.










