Teksa Shqipëria ka hapur kufirin me Kosovën që në 28 maj, e kundërta ka ndodhur nga pala tjetër. Shtetasit e Shqipërisë që kanë tentuar sot të udhëtojnë drejt Kosovës kanë hasur me kërkesa të paprecedenta të cilat kanë shkaktuar kaos dhe radhë në pikën kufitare. Burime nga Morina bëjnë me dije se dhjetëra kamionë që kanë tentuar të transportojnë mallra dhe produkte u është vendosur një taksë prej 22 eurosh nga pala pritëse. Sipas Policisë së Kosovës, kjo taksë duhet të paguhet për desinfektimin e kamionëve.

Nga ana tjetër, edhe udhëtarët me automjete private janë penguar. Shtetasve të Shqipërisë u është kërkuar një certifikatë nëse e kanë kryer testin për koronavirusin. Ose në të kundërt duhet t’u nënshtrohen karantinimit njëjavor në Kosovë. Situata e paprecedentë vjen në një kohë kur Shqipëria ka njoftuar hapjen tërësisht me fqinjët dhe ka nisur të presë edhe turistët e parë nga Kosova.  Më herët Ministria e Shëndetësisë së Kosovës e kishte paralajmëruar një ngjarje të tillë kur zëdhënësi Faik Hoti tha se Shqipëria mund ta hapë kufirin njëanshëm, sepse “secili shtet vendos për kufijtë e vet”. Por qeveria Kurti në ikje nuk e ka sqaruar publikisht këtë vendim për shqiptarët e Shqipërisë. Aq më pak për kamionët që po trajtohen si ata të Serbisë./shqiptarja