Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj deklaroi sot se borxhi që u sigurua nga qeveria shqiptare do të shkojë për rimëkëmbjen e ekonomisë, e cila u godit për shkak të COVID-19. Ministrja tha se kemi bërë një përllogaritje të dëmit të shkaktuar për shkak të COVID -19 në të ardhurat që llogaritet sa 5% e PBB-së. Sipas Denaj, borxhi publik llogaritet 75-80%. Duke folur për planin e Rimëkëmbjes, Denaj tha se investimet në infrastrukturë dhe energji janë prioritare.
“Në sektorin e energjisë është një investim i huaj, gati 150 milionë euro nga një kompani franceze për energjinë e pastër të rinovueshme në Karavasta. Do të jetë Aeroporti i Vlorës. Po kështu do të investohet në rrugët që do të lidhin më mirë qytetet dhe zonat rurale që të mos kemi vetëm në Tiranë dhe Durrës centralizim, por të kemi shpërndarje në të gjithë Shqipërinë dhe të mundësojmë që edhe turizmi që ka goditjen më të madhe vitin që vjen të ketë një rikuperim më të mirë“, deklaroi Denaj.
Ministrja tha se do të ndërmerren politika që mund të nxisin biznesin e vogël dhe të mesëm.
”Biznesit të vogël përmes politikës fiskale që parashikon zerimin e tatimfitimit dhe rritjen e shkallës së TVSH-së që do të bëhet efektive prej janarit të 2021, i japim mundësinë për t’u rimëkëmbur në 10 vjet. Për biznesin e mesëm do të ngrihet një instrument që do të jetë kombinim i granteve me garancinë, me skema që mund të jenë më efektive edhe në përgatitje, por edhe në disbursim dhe që do të shkojë kryesisht për biznesin e fokusuar në automatizim dhe dixhitalizim”, bëri të ditur ministrja.
E pyetur mbi masat administrative ndaj biznesit që nuk zbaton masat për frenimin e përhapjesë së COVID-19, Ministrja Denaj u shpreh se biznesi duehttë zbatojë protokollet e miratuara pasi janë e vetmja masë mbrojtëse për të mos shkuar drejt rimbylljes, që është një skenar shumë i keq për ne.
Lidhur me pagat e luftës, ministrja Denaj bëri të ditur se nga paketa e parë e ndihmës së akorduar nga qeveria kanë përfituar 65 mijë qytetarë ose rreth 1 mijë më tepër se sa ishte parashikuar në fillim kur u hartua paketa. Fondi mesatar mujor për këtë paketë, tha ajo, llogaritet diku te 1.6 miliardë lekë. Sa i përket paketës së dytë ndihmëse me një bonus prej 40 mijë lekësh për çdo individ, ministrja Denaj tha se janë parashikuar për ta përfituar rreth 176 mijë individë dhe se deri tani e kanë përfituar 176 mijë. Denaj tha se për punonjësit e atyre bizneseve që nuk aplikuan, u mor vendimi që iu mundëson punonjësve aplikimin direkt për tu bërë përfitues të bonusit. Llogaritet, tha ajo, të jenë rreth 7 mijë punonjës për të cilët nuk u alikua nga punëdhënësi.