Asnjë prind nuk mund të justifikojë arsimimin e fëmijëve të tij, sidomos për vajzat. Për rastin e ‘babait radikal’, Roland Kryemadhi, i cili nuk lejonte fëmijët të shkonin në shkollë, ish-myftiu i Tiranës, Ylli Gurra thotë se ideja që fëmijët i edukon zoti është justifikim i cekët.

Në një intervistë për Report TV, Gurra tha se prindërit nuk janë pronarë të fëmijëve, përkundrazi, sipas tij ata kanë përgjegjësi t’i arsimojnë ata.”Nuk ka lidhje me justifikimin që ka përdorur qytetari. Zoti i ka dhënë mundësinë njeriut, për mbi mundësinë i ka dhënë përgjegjshmërinë. Justifikime i cekët pa asnjë vend. Kurani thotë lexo. Aq më tepër për vajzat është dy herë obligative çështja e arsimimit. Është vajza, nëna gruaja e cila sjell botën. Ku është shkruar që janë pronarë të fëmijëve prindërit?! Këtu i iket përgjegjësisë si prindër. Çdo prind ka detyrimin për mirëpërgatitjen për në jetë të fëmijëve. Profeti thotë, përgatitja e brezit tuaj fillon 20 vjet përpara lindjes. Pra prindërit duhet të shikojnë mirearsimimin e fëmijëve 20 vjet më parë. Është përgjegjësi prindërore për fëmijët në përgjithësi, por për vajzat dyfish. Prindi nuk është pronar. Nuk është plaçkë fëmija, aq më tepër vajza. Është përgjegjësi e dyfishtë. Deri në moshë madhore prindi ka përgjegjësinë për ta përgatitur dhe jo për ta përdorur. Kjo nuk ka lidhje me fenë”, u shpreh Ylli Gurra.

Sa i takon rastit të përdhunimit të 15-vjeçares në periferi të Tiranës nga roja i shkollës, Gurra tha se është një veprim monstruoz. Ai vlerësoi reagimin qytetar, por tha se ka qenë i përgjumur në të tilla raste. Sipas tij, bashkë me qytetarët duhet të reagojë edhe feja edhe institucionet shtetërore.

“Reagimi i përgjumshëm që ka qenë në rastet e tjera në shoqërinë tonë. Ka qenë një reagim i ngadaltë nga organizmat civilë dhe më pas nga institucionet. Reagimi qytetar është parësor në këto raste sepse vajza e dikujt është vajza e një familje apo komuniteti. Ajo që e bën më të dhimbshëm është rasti i një vajze minorene. Mua më erdhi mirë për pjesëmarrjen e gjerë ku kishte mijëra njerëz. Ishte një reagim i shpejtë i qytetarëve. Kështu që unë nuk mund ta shihja veten jashtë. Reagimi qytetar ka munguar në këto 3 dekada, sidomos në të tilla raste. Mekanizmat ligjore ose janë të vonuar, ose kur vjen çështja te zbatimi ka një ngërç të madh. Edhe në kodin penal duhet të jetë më i ashpër”, u shpreh Gurra.Me përgjegjësi, Gurra bën edhe komunitetet fetare, që sipas tij nuk janë në nivelin e duhur, ndërsa tha se duhet edhe reagim.

“Në aspektin e përgjegjshmërisë ne nuk jemi në nivelin e duhur dhe të kërkuar. Nuk mund të jemi kaq të shkëputur. Pra duhet që përmes mekanizmave të veta, komunitetet fetare duhet që të ketë reagime. Duhet të reagojnë dhe veprojnë së bashku, paralel me institucionet arsimore dhe respektive shtetërore”, deklaroi Gurra. Sipas ish-myftiut të Tiranës, tranzicioni në Shqipëri ka goditur bërthamën familjare, e cila më parë ka qenë shumë e fuqishme.