Një shembull i bukur i bashkimit që bën fuqinë, ku kultivuesit e shalqirit dhe Ardiani, një eksportues i suksesshëm shqiptar tregtojnë në destinacione si Suedia, Letonia, Çekia, Polonia. Kryeministri Edi Rama duke publikuar pamje nga ferma e Ardianit shprehet se, “Ardiani ka aplikuar në Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, për ndërtimin e një dhome të re moderne frigoriferike, e cila do të rrisë kapacitetin grumbullues si edhe aftësinë konkurruese të këtij bashkimi në tregjet e huaja”. “Falë mbështetjes nga qeveria shqiptare përmes AZHBR, Ardiani ka ngritur edhe një pikë grumbullimi në Tropojë, si dhe është financuar për procesin e mbulimit me plastmas të shalqirit në fushat e Xhafzotaj”, tha Rama.

Drejtoresha e AZHBR-së, Frida Krifca ka vizituar nga afër fermerët, ndërsa theksoi se “Galea 2011” është një kompani eksportuese që është mbështetur nga AZHBR, për një pikë grumbullimi në qytetin e Tropojës, për grumbullimin e gështenjës dhe boronicës, ndërkohë që ka aplikuar në programin IPARD, për rikonstruksionin e një pike grumbullimi në Xhafzotaj në Durrës ku grumbullon shalqinj”. “Ne po përpiqemi të injektojmë financim pikërisht aty ku kuajt e betejës do na shërbejnë për të çuar produktet për eksport”, – tha Krifca. Ajo shtoi se “Adriani ka aplikuar për të ndërtuar një dhomë frigoriferike”. Ardiani tha se “do të çojë për eksport 1 mijë ton shalqi. Ne fillojmë eksportin me shalqirin qoftë nga zona e Durrësit, ngaqë ai piqet pjesë-pjesë, jo i gjithë përnjëherë, në momentin që piqet dhe në Divjakë marr edhe atje”.

Sipas tij, janë 7 fermerë që janë bashkuar. “U njoha me Qamilin para 11 vitesh dhe këtë zonë. Në bashkëpunim me Qamilin ne arritëm ta zhvillojmë dhe të fusim disa fermerë të tjerë që të fillonin kultivimin e shalqirit. Këto zona ishin të papunuara. Sa i përket eksportit, e kanë pëlqyer shumë. Ka shkuar në Estoni, Letoni, Çeki, Poloni, Suedi, Zvicër, Itali, Serbi. Klientela na i kërkon me ambalazhim kartoni, e seleksionojmë dhe pastaj e dërgojmë jashtë vendit”, – tha Adriani. Ai shprehet se “80% e prodhimit shkon për eksport dhe 2% për tregun vendas. Eksporti ka shkuar në rritje jo vetëm për mua, por për gjithë Shqipërinë”.