Ministria e Arsimit, Besa Shahini, ka zhvilluar sot një takim me rektorët e Universiteteve, me të cilët ka vendosur datët e re të zgjedhjeve, 30 korrik 2020.. Ministrja liston një sërë arsyesh përse këto zgjedhje duhen bërë sa më shpejt, në një kohë kur diçka të tillë ia kanë kërkuar edhe rektorët të cilët thonë se është e pamundur udhëheqja në një kohë kur mandatet kanë përfunduar.Data e zgjedhjeve ishte caktuar edhe më herët por për shkak të pandemisë së koronavirusit ata janë shtyrë. Shahini thotë se me heqjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, por edhe me heqjen e kufizimeve të transportit publik, tani zgjedhjet do të jenë të mundura.
“Sot zhvillova përsëri një takim me rektorët e IAL-ve publike, të cilët shprehen pamundësinë e vazhdimit të udhëheqjes së IAL-ve me mandat të përfunduar dhe sollën në vëmendje nevojën urgjente për zgjedhje në universitete. Studentët, sidomos ata të viteve të fundit që diplomohen sivjet, më kanë shprehur gjithashtu shqetësimet e tyre për mungesën e shërbimeve nga ana e IAL-ve për shkak të përfundimit të mandateve të autoriteteve drejtuese.
Sipas raportimeve që IAL-të kanë paraqitur për prezencën e studentëve në ambientet e tyre, muaji korrik do të ketë një numër të madh studentësh të pranishëm në provime. Gjithashtu, me heqjen e kufizimeve të transportit publik, studentët dhe pedagogët mund të udhëtojnë lirisht ditën e zgjedhjeve – gjithmonë duke pasur kujdes ruajtjen e distancave fizike dhe pajisjen me mjete mbrojtëse kundër COVID-19.
Javën që lamë pas, përfundoi edhe afati ligjor për gjendjen e jashtëzakonshme në vend. Por, duke marrë parasysh rritjen e rasteve të infektimeve, është akoma e paqartë se si do të rifillojë puna nëpër IAL në vjeshtë. Kështu që, për arsye të zgjidhjes së shumë çështjeve të shkaktuara si pasojë e përfundimit të mandateve të autoriteteve drejtuese në IAL, me propozim të rektorëve të universiteteve publike shpallim datën e zgjedhjeve në IAL më 30 korrik, 2020.
Urdhri nr. 108, i datës 08.05.2020, që shtyu pa afat zgjedhjet për autoritetet dhe organet drejtuese në IAL për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga pandemia e COVID-19, ngarkonte IAL-të të vijojnë me përgatitjet për zgjedhje dhe rektorët konfirmuan se të gjithë universitetet janë gati. Në këtë kuadër, ftoj studentët të ushtrojnë të drejtën e tyre për përfaqësim në strukturat drejtuese të universiteteve ku studiojnë.
Sot më shumë së kurrë, IAL-të duhen udhëhequr nga akademikë me integritet, të cilët kontribuojnë edhe me pjesën e tyre shumë të rëndësishme në jetësimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të paktit për universitetin,”-shkruan Shahini.