Nga Aranit Muraçi/
Klentiana Mahmutaj është vlerësuar gjerësisht në media,si një model i vlerave shqiptare dhe mirë-integrimit të komunitetit shqiptar, në Britaninë e Madhe. Një vit pasi nisi studimet e larta në Fakultetin Juridik të Tiranës, Klentiana rreth dy dekada më parë u zhvendos në vendin ishullor të kontinentit, ku pas mbylljes së studimeve universitare dhe atyre pasuniversitare, ka zhvilluar me sukses karrierën e saj profesionale si juriste, po ashtu edhe atë akademike. Pak kohë më parë ajo është emëruar edhe si eksperte e pavarur nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut në OKB.
Në një intervistë oër “NOA.al”, Klentiana flet për sfidat e respektimit të të drejtat e njeriut, sidoemos ato të grave dhe veçanërisht për rëndësinë që ato kanë në vendin tonë. Krahasuar me botën perëndimore, që ndonëse me një demokraci dhe ekonomi shumë më të zhvilluar, Klentiana shprehet se, “Shqipëria është një shembull i mirë i integrimit të grave në profesione prestigjoze dhe pozicione të rëndësishme qeverisëse dhe ndoshta një grua kryeministre apo presidente do të ishte një zhvillim i natyrshëm i këtij procesi integrimi”.
Avokatja e njohur shqiptare në Britaninë e Madhe, Klentiana Mahmutaj rëndit edhe disa arsye se përse po zbehet tradita dhe sistemi i disa vlerave shoqërore, sipas vendeve të ndryshme, përfshirë edhe Shqipërinë:
Zonja Klentiana, në Mars të këtij viti ju jeni emëruar eksperte e pavarur nga Këshilli i te Drejtave të Njeriut në OKB. A mund të na flisni më konkretisht mbi emërimin dhe cili është roli juaj specifik në këtë detyrë të re?
Emërimi si eksperte e pavarur nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut në OKB është rezultati i një procesi rigoroz të përzgjedhjes të Mekanizmave të të Drejtave të Njeriut, proces ky që kulmon me aprovimin nga shtetet anëtare të këtij Këshilli. Si i tillë, mandati mbart aprovimin dhe besimin kolektiv të një institucioni të rëndësishëm ndërkombëtar.
Roli i im, së bashku me katër ekspertët e tjerë të mandatit, është t’i jap ekspertizë Këshillit të të Drejtave të Njeriut mbi të drejtën e zhvillimit, duke kërkuar, identifikuar dhe ndarë praktikat më të mira të shteteve anëtare dhe t’i jap asistencën këtij Këshilli, në promovimin e implementimit të së drejtës së zhvillimit në mbarë botën. Përveç aspektit juridik, e drejta në zhvillim ka dimensione të rëndësishme ekonomike dhe politike dhe si e tillë e bën këtë mandat një sfidë interesante, por edhe një mundësi të jashtëzakonshme për të ndryshuar mënyrën se si e shikojmë botën, globalizmin dhe detyrimet kolektive që kemi ndaj njëri-tjetrit, për të rritur mirëqenien e mbarë njerëzimit. Për ata që janë të interesuar për detajet e mëtejshme, mandati im është i detajuar në Rezolutën 42/23 (A/HRC/RES/42/23).
Ndërkohë, në kontekstin e mandatit, gjithashtu jam ftuar nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut, së bashku me 25 ekspertë të tjerë nga mbarë bota, të jap ekspertizën time ligjore në lidhje me parimet e të drejtave të njeriut, krimit tëkorrupsionit dhe rikuperimit të pasurive të paligjshme. Këtu kontribuoj kryesisht me pervojën Britanike dhe asaj të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Mandati i OKB-së zgjat 3 vjet (i rinovueshëm për 3 vjet të tjera) dhe do e kryej për krah profesionit të avokatisë në Londër. Momentalisht, në rolin e avokates në Londër, jam epërfshirë në çështje të arbitrazhit ndërkombëtar në Gjykatën Permanente të Arbitrazhit në Hagë si dhe në një nga hetimet publike më të rëndësishme në historinë e Britanisë së Madhe mbi rolin e degës speciale të policisë në vitet 1968-2008 në Britani, përkrah edhe çështjeve të tjera që ndjek në gjykatat vendore angleze.
Shqipëria është një vend pa kulturë demokratike, po ashtu edhe me një të kaluar të hidhur. Mbi përvojën tuaj, çfarë duhet ndryshuar sa më parë mbi respektimin e të drejtave të njeriut, duke qenë se konsiderohet edhe si një ndër vendet ende në zhvillim?
Nuk mendoj që Shqipëria është një vend pa kulturë demokratike. Kjo është një qasje disfatiste që nuk ndihmon debatin për përmisim të kulturës demokratike, i cili është i nevojshëm. Është e vërtetë që Shqipëria është një vend me të kaluar të hidhur, që domosdoshmërisht ka pasur dhe vazhdon të ketë efektin e vet në zhvillimin relativisht të ngadaltë të shtetit të së drejtës dhe institucioneve të shëndosha. Nuk pretendoj që kam përgjigjen perfekte, se cilat duhet të jenë ndryshimet urgjente mbi respektimin e të drejtave të njeriut. Por mendoj që pjesëmarrja dhe përfshirja efektive e popullsisë së gjerë në jetën politike, sikurse transparenca dhe llogaridhënia e institucioneve shtetërore domosdoshmërisht, që do të rriste nivelin e respektimittë të drejtave të njeriut në vend, si ato politike ashtu edhe ato ekonomike.
Ju jeni e angazhuar edhe mbi rolin e gruas në profesionet ligjore apo edhe politike. Mund të flasim mbi këtë temë: a dallon roli i saj, bazuar mbi kulturën dhe zhvillimin e ndryshëm të vendeve?
Mendoj që fuqizimi i grave dhe barazia e vërtetë gjinore është një betejë e gjatë, që fatkeqësisht nuk do të fitohet së shpejti. Sidoqoftë, në përgjithësi, vendet që janë ekonomikisht të fuqishme, kanë edhe platforma efektive për sensibilizimin e pabarazisë gjinore, si në nivele institucionesh shtetërore, ashtu edhe në ato të shoqërisë civile. Megjithatë edhe në këto vende, përmend këtu dhe Britaninë e Madhe ku jetoj prej gati 22 vjetësh, megjithë masat dhe burimet e dedikuara, nuk bëhet fjalë ende për barazi të mirëfilltë gjinore. Situata është ende dhe më dramatike në vendet e varfëra ku gratë janë më pak të arsimuara dhe kanë më pak mundësi për zhvillim dhe ku fuqizimi ekonomik dhe arsimimi janë faktorë esencialë për rimëkëmbjen e rolit të gruas në shoqëri. Për sa i përket Shqipërisë, duhet thënë se është një shembull i mirë i integrimit të grave në jetën politike të vendit, por kjo s’do të thotë që nuk ka hapësirë për përmisim në fuqizimin ekonomik dhe politik të tyre.
Megjithatë, edhe pse barazia gjinore është një temë e diskutueshme dhe komplekse, në shkencë vazhdojnë të dominojnë burrat. Për shembull, ndonëse ka më shumë studente femra në fushën e ekonomisë, ka një ose dy gra që kanë fituar deri tani çmimin Nobel në ekonomi, prandaj, a është ky një tregues që flet për diskrimiminimin gjinor të tyre në mbarë botën?
Tregues të pabarazise gjinore ka shumë. Por personalisht mendoj që edhe mediat kryesore kanë fajin e tyre në mungesën e promovimit të mjaftueshëm të arritjeve të grave në fusha të ndryshme të shkencës, apo ekonomisë. Është interesante, që përmendët çmimin Nobel në ekonomi. Unë jam një fanse e madhe e Esther Duflo, e cila fitoi çmimin Nobel në Ekonomi, në vitin 2019, së bashku me bashkëshortin e saj, Abhijit Banerjee dhe kolegun Michael Kremer, mbi qasjen e tyre për zbutjen e varfërisë globale.
Në fakt libri i Duflo dhe Banerjee “Poor Economics” më frymëzoi dhe më shtyu që të aplikoja për mandatin e OKB-së, për të drejtën e zhvillimit. Edhe pse Duflo ishte vetëm gruaja e dytë dhe më e reja në moshë, që e fitonte këtë çmim në fushën e ekonomisë, “The Mail Online” e raportoi ngjarjen vetëm si një detaj i një tabloje më të madhe, me temë kryesore: një mbrëmje ekstravagante me familjen mbretërore suedeze. Ky lloj këndvështrimi, është sigurisht për të ardhur keq. Dhe në të njëjtën kohë, jetojmë në një epokë ku objektivizimi i figurës së femrës amplifikohet nga përdorimi në masë i mediave dhe mediave sociale. Mediat sociale, që kanë një element narcizismi, bëjnë të mundur glorifikimin e bukurisë fizike, sikurse dhe lakminë për të mira materiale pa i dhënë hapësirën e duhur arritjeve intelektuale apo humanitare. Si rezultat, shembujt modele që duhet të promovohen, sepse janë një frymëzim i domosdoshëm për brezat e ardhshëm, zënë pluhur me ndonjë revistë shkencore apo akademike.
Vendet perëndimore dhe të zhvilluara si Anglia kanë pasur kryeministre femra të cilat kanë lënë gjurmë të thella në histori, si Margaret Thatcher, apo Gjermania me kancelaren aktuale, Angela Merkel. Shumë vende të Lindjes, ku bën pjesë edhe Shqipëria, nuk kanë provuar ende t’ia besojnë qeverinë një gruaje. A është ky një tregues i mohimit të drejtave te njeriut.
Sikurse e kam përmendur më parë, Shqipëria është një shembull i mirë i integrimit të grave në profesione prestigjoze dhe pozicione të rëndësishme qeverisëse dhe ndoshta një grua kryeministre apo presidente do të ishte një zhvillim inatyrshëm i këtij procesi integrimi. Sa i përket shembujve aktualë ndërkombëtarë, mjaftojmë të shikojmë historitë e suksesit në Zelandën e Re, nën udhëheqjen e Jacinda Arden, apo të Sanna Marin në Finlandë, sikurse dhe Merkel-it në Gjermani për të kuptuar se gratë udhëheqëse janë një faktor ekuilbrues dhe stablizues për vendet e tyre. Përveç punës dhe talentit, ato udhëheqin me empati, efikasitet dhe një sens shërbimi publik që prodhon rezultate impresionuese.
Për sa i përket Britanisë së Madhe, ajo ka pasur dy kryeministre gra, Margaret Thatcher dhe Theresa May, të dyja këto lidere të Partisë Konservatore. Çuditërisht, edhe pse Partia Laburiste është partia e domokracisë sociale dhe ka prodhuar kryeministra të jashtezakonshëm si për shembull Tony Blair, kjo parti ende nuk ka prodhuar një lidere partie apo kryeministre grua, por mendoj që edhe kjo do të ndodhi eventualisht.
Keni folur më herët në Britaninë e Madhe mbi përfshirjen e gruas në punë dhe barazinë gjinore, madje si model gjatë kohës së komunizmit në Shqipëri jeni shprehur se pati sukses në këtë drejtim. Ndonëse jeni shkëputur nga Shqipëria prej vitesh, a i qëndroni idesë se shoqëria jonë duhet t’i ruante disa tradita apo vlera, pavarësisht ndryshimeve politike?
Në fakt artikulimi i vitit 2015, në gazetën britanike “The Telegraph” mbi komunizmin, ndryshimet politike dhe barazinë gjinore në Shqipëri ishte i pari i llojit të tij në Britani dhe më vjen mirë që zgjoi interes dhe i hapi rrugën artikujve të tjerë të ngjashëm mbi aspekte të së shkuarëssonë komuniste. Mendoj që komunizmi ka qenë një gangrenë politike dhe ekonomike, që ushtroi torturën dhe ekzekutimin, që privoi individin nga të drejtat themelore politike dhe ekonomike, që paralizoi zhvillimin ekonomik dhe politik të vendit, dhe si i tillë la pasoja të rënda në brezat që pasuan. Prandaj, nuk mendoj që ka asnjë lloj vlere institucionale që duhej ruajtur.
Megjithatë, rëndësia që vetë shoqëria i jepte familjes nukleare, dashuria dhe përgjegjësia morale për të ndihmuar të afërmit dhe miqtë, sikurse thjeshtësia dhe bujaria e natyrshme me gjithë varfërinë ekonomike masive ishin tradita që do ishte shumë mirë, sikurse të ishin ruajtur plotësisht. Por nëse ka zbehje të pjesshme të këtyre traditave, fatkeqësisht është një dukuri që vjen me kapitalizmin ku mbizotëron sipërmarrja private, qëllimi për pasurimin idividual dhe fitimi e pavarësisë ekonomike.
Si rezultat, është e nevojshme për masa ribalancuese përkrah rritjes ekonomike, e cila, në vetvete, edhe pse është pozitive dhe e domosdoshme, nuk mjafton për mirëqenien dhe mbarëvajtjen shoqërore. Gjithsesi, mendoj që globalisht ka nevojë për një rikalibrim të vlerave tona, me fokus tek vlerat shpirtërore dhe morale, tek dhënia e ndihmës më të dobëtit dhe gjithëpërfshirja e popullsisë në jetën ekonomike dhe politike në vend.
Në Britaninë e Madhe numri i të rinjve shqiptarëve është rritur ndjeshëm vitet e fundit. A është ky një tregues se as vajzat dhe as djemtë nuk e gjejnë dot veten në vendin e tyre dhe ka një diskrimimin përtej ndasive gjinore në Shqipëri?
Nuk jam e mirë-informuar për statistikat, por jam në dijeni që ka një eksod të vazhdueshëm të rinisë për të kërkuar një jetë më të mirë në perëndim. Nuk mendoj që ky është tipar i diskriminimit gjinor, por më shumë një dukuri që tregon se të rinjtë nuk gjejnë hapësirën e nevojshme për t’u vlerësuar dhe rritur profesionalisht, në vendin e tyre. Se si mund të përmisohet kjo situatë, është ndoshtatemë për një bisedë tjetër.
(Të gjitha opinionet e shprehura këtu janë personale dhe nuk përfaqësojnë pikëpamjet e Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së).