Nën drejtimin e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, u zhvillua mbledhja e radhës e Këshillit të Investimeve, ku diskutimet u përqendruan në situatën e krijuar në vend për shkak të pandemisë së virusit COVID-19 dhe masat financiare dhe ekonomike që janë ndërmarrë deri tani nga Qeveria për të përballuar pasojat dhe për reformat të cilat duhet të sugjerohen për rimekëmbjen e ekonomisë. Në fjalën e saj, ministrja Anila Denaj, bëri një panoramë të situatës së përgjithshme makroekonomike të Shqipërise, por edhe në kuadrin rajonal dhe atë ndërkombëtar.
Ministrja vlerësoi, se në lidhje me Shqipërinë, nga parashikimet konsiderohet që impakti i dy fatkeqësive, ai i tërmetit në nëntorin e kaluar dhe situata e pandemisë, do të krijojnë ulje të konsiderueshme të PBB-së, për të cilin dhe qeveria shqiptare është angazhuar jo vetëm në periudhën e parë të këtij 6-mujori, por njëkohësisht parashikon një rishikim të dytë të buxhetit, ku në reflektim të uljes së të ardhurave të realizuara nga administrata tatimore dhe doganore mendohet që tkurrja do të jetë më e madhe sesa parashikimi i bërë në muajin mars. “Duke parë kuadrin makrofiskal jemi duke u përgatitur për një rishikim të dytë të buxhetit, ku parashikohet një ulje e PBB-së, midis nivelit -2 deri në -5%. Sigurisht, kjo do të jetë subjekt i diskutimeve në muajin korrik”, deklaroi Denaj.
E një rëndësie akoma më të veçantë, shtoi ai, sht mënyra se si do të ngrihemi në situatën postcovid, në atë çka ne quajmë “plani i rimëkëmbjes”. “Në këtë kuadër, Këshillit të Investimeve i është kërkuar të marr propozime nga bizneset të cilët funksionojnë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë shqiptare, në mënyrë që plani i rimëkëmbjes të përfshijë propozimet e tyre”, bëri të ditur ajo.
Gjatë këtij takimi virtual, Denaj tha, se në raport me politikën fiskale, mbarëvajtja e saj është parë në aspektin afatmesëm, në atë 5-vjeçar, i cili do të mbështetet nga modernizimi dhe automatizimi i proceseve, të cilat do të sjellin një centralizim të informacionit në kohë reale dhe një përmirësim të administrimit fiskal i siguruar nëpërmjet fiskalizimit, dhe shërbimit automatik të informacionit. Për sa i përket politikave të zhvillimit ekonomik, Denaj tha, se mbetet i rëndësishëm se kush do të jenë stimujt e zhvillimit të sipërmarrjes, jo vetëm stimujt fiskal, por stimuj të politikave të zhvillimit ekonomik me në fokus biznesin SME. Sipas Ministres, është propozuar që qasja politike e çdo sektori të shikohet jo vetëm në raport me projektet prioriotare, por edhe me në raport me stimulimin e sipërmarrjes në sektorë të veçantë.
“Në këtë moment lind nevoja që dixhitalizimi të mos përfshijë vetëm optimizimin e proceseve të qeverisë, që është sot fakt, por të konsiderojë edhe aspektin ekonomik për dixhitalizimin e aktivitetit ekonomik në të gjithë sektorët. Vlera e shtuar e dixhitalizimit ekonomik duhet të lidhet me rritjen e qasjes drejt investimeve të cilat do t’i quaja “investime smart’’ dhe që në fokus mund të kenë si përmirësime të sistemeve software, por edhe investime aktive fikse që do të duhet të rrisin produktivitetin, cilësinë e produkteve “Made in Albania””, u shpreh Ministrja.
Në këtë kuadër, ajo ka propozuar dhe politika të cilat mund të nxisin në të ardhmen investime “smart” në kombinim të skemave jo vetëm të garancisë, por edhe granteve. Denaj vlerësoi politikat e punësimit, si një qasje proaktive në dy aspekte, për të risjellë në tregun e punës edhe ata që e humbën për shkak të COVID-19, si dhe për të nxitur një punësim sa më shpejt në nivelin e kohës afatshkurtër, por edhe afatmesëm. Me shumë rëndësi ministrja vlerësoi formalizimin e tregut të punës me një skemë të re që do të mundësonte uljen e informalitetit.