Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj në turin e komunikimeve të drejtpërdrejta me biznesin ishte sot në Lezhë, në një nga bizneset e shumta përfituese nga masat e qeverisë, i cili është mbështetur nga “Garancia Sovrane 1” për pagën e luftës për 60 punonjësit. Gjatë vizitës në këtë biznes, përfaqësuesi i kompanisë i tha ministres se, kishte aplikuar në garancinë e parë sovrane vetëm për pagat e punonjësve, kredi e cila siç tha ai, “është disbursuar dhe të gjithë punonjësit janë paguar”.

Ministrja Denaj shpjegoi se, norma e interesit në Garancinë e parë Sovrane, është zero. Ndërkohë që tha ajo, “qeveria ka vënë në dispozicion të biznesit Garancinë e dytë Sovrane, që të marrë kredi me 60% të kolateralit të paguar nga qeveria për kapital qarkullues apo makineri që do t’i duhen”. Denaj u shpreh se, bankat tregtare në vend për Garancinë e dytë Sovrane janë duke aplikuar procedurat, pas firmosjes që u kryen nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë me Bankat Tregtare në vend. Për ata klientë që kanë paguar, bankat bëjnë automatikisht rimbursimin, theksoi ministrja, ndërsa shtoi se, “në Garancinë e dytë Sovrane, bankat kanë nevojë për një analizë financiare, që merr pak kohë, por duke pasur kolateralin e qeverisë në masën 60%, biznesit i mundëson një ulje të kërkesës për kolateral dhe iu vjen në ndihmë për financimin e kredisë 5-vjeçare për nevojat që ka biznesi, në blerje makinerish për rritjen e prodhimit”.

“Politikat e stimulimit për rritjen e investimeve në aktivitetet që rrisin produktivitetin konkurrueshmërinë dhe cilësinë, do të mundësojnë jo vetëm këto skema garancie por edhe politika grantesh, të punësimit dhe të arsimit profesional që në Planin e Rimëkëmbjes, biznesi të gjejë veten dhe të rigjenerojë aktivitetin pas situatës së krijuar nga Covid-19”- tha Denaj. Ministrja u informua se ky biznes nuk ka larguar asnjë punonjës gjatë periudhës së vështirë të krijuar nga Covid-19, por përkundrazi ka shtuar stafin duke marrë 12 punonjës të rinj. Denaj informoi se, 712 biznese kanë aplikuar për një vlerë kreditimi në 7 miliardë e 755 milionë lekë për “Garancinë Sovrane 1” deri në datën 4 qershor dhe janë aprovuar 462 aplikime.