Përfaqësuesi i mazhorancës në Këshillin Politik të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, zbuloi nga foltorja e Kuvendit detaje nga diskutimet e tejzgjatura të dy ditëve të fundit mes palëve politike dhe ambasadorëve të SHBA, Yuri Kim, BE, Luigi Soreca, Britanisë, Duncan Nornam, dhe OSBE, Bernd Borchardt.Gjiknuri deklaroi se janë pranuar shumica e kërkesave të opozitës, që nga identifikimi elektronik, trajnimi i komisionerëve, etj.“Kam detyrimin politik për të informuar lidhur me procesin që ka marrë vëmendjen këto ditë. Nuk meritonte ta merrte atë vëmendje dhe u zhvillua me pjesëmarrjen e ndërkombëtarëve, pasi shqiptarët duhet të merreshin vesh vetë.
Falënderoj ndërkomëbtarët që na mbështetën për të arritur një marrëveshje të mirë, ku asnjë nuk humbi, po të gjithë dolën të fituar. Me pak fjalë edhe kërkesa e opozitës ka qenë menaxhimi i mirë i zgjedhjeve. Ne pranuam kërkesën e opozitës për identifikimin, duke pranuar që personi që merret me këtë të zgjidhet nga opozita.Nga ana tjetër, ka qenë skena e nëpunësve, që do të jetë me detyrim të shkojnë në trajnimin zgjedhor. Trajnimi do të jetë një skenë e hapur që do të mbikëqyret nga përfaqësuesi i opozitës, që do të ngarkohet posacërisht me këtë punë.Komisionerët do të caktohen me short, do jenë 3 zyrtarë që do të menaxhojnë procesin, që do të kenë dhe dy observues politikë. Përtej kësaj, kërkesa e opozitës ka qenë edhe për garanci shtesë për procesin. Do të jenë dy numërues zyrtarë të përzgjedhur rastësisht me short, dhe përfaqësues politikë. Kanë kërkuar monitorim në cdo qendër votimi dhe iu është dhënë kjo.
Puna e çdo numëruesi është e verifikueshme. Ndëshkimi nuk është vetëm penal, por përjashtohen përjetësisht nga shërbimi civil dhe pjesëmarrja në procese pune.Nga ana tjetër, të gjitha kërkesat shqetësuese të opozitës, qoftë për rolin e policisë, qoftë për atë të prokurorisë, janë pranuar. Qeveria teknike nuk mund të ishte kërkesë, dhe më vjen mirë që opozita reflektoi për këtë. U qartësuan edhe shumë pika të tjera dhe më vjen mirë opozita ka ardhur aty ku është.Ky do të jetë procesi i parë në Shqipëri që do të mundësojë një votim të pastër në vend. Ajo që është hedhur për emigrantët, ne votën e emigrantëve e kemi deleguar që KQZ të mundësojë votimin në distancë. Procedurat do të zgjidhen me akte nënligjore. Me një menaxhim politik, Shqipëria ka mundësi të bëjë zgjedhjet më të mira seç ka bërë më parë. Vota e tyre nuk do të preket. Ky kod i ri jam i bindur që do ta garantojë këtë”, tha Gjiknuri.
Fjala e plotë: Të nderuar qytetar, Të nderuar deputetë, Kam detyrimin politik por edhe qytetar për të informuar aq sa mundem ata që na ndjekin në lidhje me një proces të rëndësishëm që ka marrë vëmendjen këto ditë. Fatkeqësisht, nuk meritonte të merrte gjithë atë vëmendje. U zhvillua nën mikpritjen e një ambasade të nderuar, me pjesëmarrjen e shumë përfaqësuesve ndërkombëtarë, për diçka që normalisht vet shqiptarët duhet të merreshin vesh. Për këtë, u kërkoj ndjesë por realisht unë dua dhe të falenderoj partnerët që na mbështetën për të arritur një marrëveshje të mirë për reformën zgjedhore, ku asnjë nuk humbi por të gjithë dolën të fituar. Me pak fjalë, kërkesa e kahershme jo vetëm e ODIHR por edhe opozitës shqiptare ka qenë garancia në sistemin e manaxhimit të votës. Përkundër rekomandimeve të ODIHR, siç e tha dhe Kryeministri këtu, ne pranuam kërkesën e opozitës për përdorimin e teknologjisë në të gjitha qendrat e votimit. Madje me garanci shtesë që personi që do të mbikëqyrë dhe do të jetë bashkëmanaxher i këtij procesi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve do të caktohej nga opozita.
Nga ana tjetër, një shqetësim tjetër që kishte opozita ka qenë se si do të reflektohet dhe sanksionohet e të funksionojë mirë skema e rekrutimit të nëpunësve që do të manaxhojnë zgjedhjet. Natyrshëm, do të jetë detyrë e nëpunësve civil që të shkojnë me detyrim në trajnimin për të qenë administrator zgjedhor ashtu sikurse çdo qytetar tjetër i Republikës së Shqipërisë i nxitur edhe nga çdolloj partie e ka këtë mundësi që të jetë zyrtar zgjedhor. Trajnimi do të jetë një skemë e hapur e cila do të mbikëqyret, pra rekrutimi dhe trajnimi do mbikëqyret nga përfaqësuesi pra zv.komisioneri i opozitës që do të ngarkohet posaçërisht me këtë punë në KQZ. Kjo adreson një nga ato frikërat që kishin se si njerëzit të cilët mund të kenë një bindje X apo Y do të përzgjidhen në një skemë trajnimi të hapur. Komisionerët do të caktohen me short, do të jenë tre zyrtarë të cilët do të manaxhojnë këtë proces dhe këta tre zyrtarë do të kenë edhe dy observues politik që kanë të drejta të shënojnë në çdo procesverbal, në çdo material të vendimmarrjes aty.
Përtej kësaj, kërkesat e opozitës kanë qenë edhe për garanci shtesë për procesin, qoftë në administrim apo edhe në numërimin e votave që në fund të fundit do të ketë të njëjtën skemë. Pra, do të jenë dy numërues zyrtarë zgjedhor të përzgjedhur rastësisht me short dhe të vëzhguar nga përfaqësues politik të cilët kanë të drejtën e kontestimit të çdo vote
Cili është procesi tjetër ekstra? Kanë kërkuar monitorim në çdo qendër votimi. Kjo i është dhënë gjithashtu. Kanë kërkuar që sinjalizuesit për krimet zgjedhore të marrin imunitet dhe kjo i është pranuar. Pra, flasim për imunitet penal, çdo njeri që denoncon për krim zgjedhor merr imunitet penal. Kanë kërkuar rihapje të çdo kutie votimi dhe rinumërim në të gjithë Shqipërinë pas daljes së rezultatit zgjedhor. Do të thotë që puna e çdo numëruesi apo çdo zyrtari zgjedhor është e verifikueshme dhe e auditueshme. E dini cili është ndëshkimi? Është ndëshkimi jo vetëm penal por përjashtohen përjetësisht nga Shërbimi Civil dhe nga pjesëmarrja në punët e sektorit publik. Këto janë masa që janë garanci integriteti për çdo zyrtar i cili do të marrë përsipër të kryejë këtë proces. Nga ana tjetër, të gjitha kërkesat e tjera që kanë qenë shqetësuese për opozitën qoftë për rolin e policisë, qoftë për rolin e prokurorisë, të gjitha janë pranuar.
Natyrshëm, qeveria teknike nuk mund të ishte një kusht për Kodin Zgjedhor dhe më vjen mirë që edhe opozita reflektoi mbi këtë. Ashtu sikurse edhe shashka do ta quaja, e hedhur që Gjykata Kushtetuese të mund të ishte një gjykatë ankimore, edhe kjo nuk qëndronte. Gjykata Kushtetuese nuk mund të merrte rolin e Kolegjit Zgjedhor pasi nuk është një gjykatë fakti. Vërtet ka një mbrojtje të të drejtës kushtetuese që mund ta kërkosh në nivel kushtetues por asnjëherë Gjykata Kushtetuese nuk mund të kthehet në një gjykatë fakti. Nga ana tjetër, nuk mund të pranohet logjika që një pjesë e drejtësisë qenka e vetuar dhe një pjesë e pa vetuar. Pra, një ishull për gjykatën politike nuk e meriton vetingun ndërsa pjesa tjetër e shqiptarëve për çdo çështje gjyqësore e meritoka vetingun. Kështu që edhe ky argument besoj u qartësua dhe më vjen mirë që opozita ka ardhur aty ku duhet.
Një gjë dua të them, me gjithë këto masa të marra, ky do të jetë procesi i parë, për herë të parë në historinë e Shqipërisë që do të mundësohet një votim i pastër përmes një procesi administrativ të pa politizuar. Ky do të jetë hapi i parë që ne të vazhdojmë reformën zgjedhore dhe duke garantuar çështje të tjera që fatkeqësiht na kanë mbetur.
Për ta mbyllur. Për sa i takon emigrantëve, ne votën e emigrantëve e kemi deleguar që KQZ me akt normativ ta mundësojë votimin në distancë. E drejta është e garantuar ndërsa procedurat do të zgjidhen me akt nënligjor. Besoj se me një manaxhim civil, administrativ por dhe me vëzhgimin partiak, Shqipëria ka mundësinë që ti bëjë zgjedhjet më të mira se sa i ka bërë kurdoherë tjetër.
Të gjitha forcat duhet të lënë retorikën politike në këtë rast, të mos pengojnë integrimin dhe nëse mendojnë se kanë avantazhe elektorale le të shkojnë të bashkëbisedojnë me qytetarët dhe ti mobilizojnë ata për vota. Vota e tyre nuk do të preket dhe ky kod i ri, jam i bindur që do ta garantojë këtë.
Faleminderit,