Depolitizimi dhe departizimi i administratës zgjedhore ishte rekomandimi kyç i OSBE/ODIHR-it. Kërkesë e përsëritur në konkluzionet e misioneve vëzhguese pas zgjedhjeve të vitit 2013, 2015, 2017 dhe 2019. Ekspertët dhe përfaqësuesit politik të Partisë Demokratike për asnjë moment nuk e vunë në diskutim faktin se propozimi për depolitizimin e plotë të komisioneve ishte zgjidhja më e mirë për të përmbushur rekomandimet.

Gjithësesi, e gjithë kauza e tyre për të penguar këtë proces u ndërtua vetëm mbi pretendimin se administrata publike është nën kontrollin e Kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Socialiste. Pra qartësisht, PD nuk mohonte efektivitetin e depolitizimit si faktor pozitiv ndaj procesit zgjedhor por shqetësimi i saj ishte administra publike që supozonin se do të ishte nën urdhrat e mazhorancës së PS. Pikërisht këtu qëndron dhe detaji më interesant. Partia Demokratike kërkoi që skema e depolitizimit, e dakordësuar me ndërkombëtarët dhe që ka marrë veçanërisht bekimin e amerikanëve të mos zbatohet dot për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe ato vendore.

Thënë më shkoqur, depolitizimi me insistimin e demokratëve nuk duhet te zbatohet në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 por as në ato të pushtetit lokal të vitit 2023. PD dhe LSI pranojnë të shkohet tek depolitizimi i komisioneve zgjedhore vetëm në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Çfarë do të thotë kjo? Duke ecur me logjikën e PD-LSI se i vetmi problem që pamundëson depolitizimin është kontrolli i administratës publike nga Edi Rama, me këtë kusht ata kanë pranuar se Edi Rama do të vazhdojë të jetë kryeministër edhe në vitin 2023. Pra, kanë pranuar pritshmërinë e tyre për humbjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të Prill-Majit 2021.

Ata do të jenë të gatshëm të pranojnë të shkohet drejt depolitizimit vetëm në vitin 2025 kur socialistët të kenë përmbyllur tre mandate në qeverisje dhe kur humbja e tyre do jetë më e pritshme pavarësisht llojit të administratës zgjedhore, politike apo jo politike./TEMA