Mjaftoi një humbje për të vënë në shënjestër Emanuel Egbo, trajnerin e Tiranës. Nigeriani e mori drejtimin e bardhebluve në dhjetor dhe nga vendi i tetë u ngjit në të parin, por humbja me Teutën solli diskutime të ndryshme në media, madje edhe duke vënë në diskutim aftësitë e kreut të pankinës së Tiranës.Sigurisht në klubin bardheblu nuk janë ndjerë mirë, por nga ana tjetër nuk janë nxituar të dalin me deklarata para ndeshjes me Vllazninë.
Triumfi kundër shkodranëve ka rikthyer qetësinë dhe te Tirana tashmë kanë çfarë të thonë për të gjithë, madje edhe në lidhje me merkaton, për shkak se janë përmendur emra të ndryshëm që mund të veshin fanellën bardheblu.
REAGIMI I TIRANËS – “Klubi i Futbollit Tirana reagon përballë fjalëve të pavërteta të thëna shpesh në media. Për arsye të ndryshme dhe të çuditshme, trajneri dhe lojtaret janë vënë në diskutim për vlerat, rëndësinë dhe të ardhmen tek Tirana.Kjo skuadër për gjithçka ka dhënë, meriton respekt. Në asnjë moment, askush nuk është vënë në diskutim, përkundrazi po punohet për të ardhmen dhe rinovimet. Ftojmë mediat sportive të mos bien pre e menaxherëve me emra futbollistësh të sponsorizuar nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova apo dhe kudo tjetër.Ftojmë gjithashtu trajnerë dhe ish-trajnerë të ftuar në studio televizive, të ruajnë etikën profesionale për të mos aluduar, abuzuar dhe krijuar situata imagjinare të cilat tentojnë të prishin klimën e qetë në skuadër.Stafi teknik dhe të gjithë futbollistët pa përjashtim janë të përqendruar maksimalisht tek objektivat e këtij sezoni”, shkruhet në deklaratën që klubi i Tiranës ka publikuar në rrjetet sociale.