“Historia e shëmtuar e Jeffrey Epstein është pasqyra e një shoqërie ku pabarazitë sociale janë të thella, drejtësia nuk funksionon dhe bota e informacionit nuk bën gjithmonë detyrën e vet. Vetëm kur emri i tij nisi të lidhet me atë të Donald Trumpit, tashmë president, të gjithë filluan të interesoheshin. Vetëm atëherë Epsteini u gjend seriozisht në telashe”. Mjeshtri i librave thriller, James Patterson, 73 vjeç, ndër autorët më të njohur në botë dhe gjithashtu një ndër më të pasurit, nga lartësia e 300 milionë librave të shitur, nuk e fsheh përçmimin dhe neverinë për ata që, fatkeqësisht, për një kohë të gjatë kanë heshtur ndaj historisë së ndyrë me abuzime minorenesh, festa dhe mysafirë të famshëm, që u zbuluan prej tij katër vjet më parë në librin “Filthy Rich”. Prej asaj historie lindi dhe një dokumentar që aktualisht transmetohet në Netflix.
Ju jetoni në zonën më ekskluzive të Palm Beach, disa qindra metra larg prej vilës së tmerreve. Kur e morët vesh se çfarë ndodhte atje brenda?Për shumë vite askush nuk e dinte se çfarë ndodhte në atë vilë. Hetimet për miliarderin pedofil mbetën të rezervuara për një kohë të gjatë. Filluan në vitin 2005, kur një 14-vjeçare rrahu një bashkëmoshataren e vet sepse e kishte thirrurr “kurvë”. Në çantë iu gjetën 460 dollarë kartëmonedha 20-ëshe. Shkolla thirri prindërit, të cilët ishin imigrantë të varfër kubanë: “Vajza juaj shpërndan drogë”. Ishte psikologia e shkollës që nxorri të vërtetën. Kishte qenë në vilën e Epsteinit, e kish lënë që ai ta prekte dhe për këtë ishte paguar. E kishte shpënë atje një shoqja e saj. Po të mos kish ndodhur ajo grindje, askush nuk do e kishte marrë vesh: policia mbërriti në konkluzionin se 47 vajza të moshës nga 13 deri 15 vjeç ishin ngacmuar seksualisht dhe shtyrë për të shitur trupin e tyre, për disa qindra dollarë.Në vitin 2008 ndodhi gjyqi i parë: Epsteini negocioi. Por në këto anë bëjmë të gjithë jetë shumë të rezervuara. Dhe vila e tij kryesisht anonime, kishte fatin që ndodhej e fundit në një rrugë pa dalje. Askush nuk e shihte se çfarë ndodhte atje brenda.
Si e morët vesh për atë histori?Më rrëfeu një miku im, gazetari televiziv Tim Malloy me të cilin edhe realizova librin. E kishte takuar në rrugë në Manhattan, ndërkohë që ecte në Madison Avenue me shapka, në krah kishte dy vajza shumë të bukura. Filluam të investigojmë. Lexuam artikullin e gjyqit në Miami Herald. Dhe filluam të bashkëpunojmë me John Connolly, një ish polic i cili kishte ndjekur seancat. Dhe kështu bëmë bashkë copëzat e gjëzës.Në vitin 2007, vetë Epstein ishte shpallur fajtor, duke lidhur marrëveshjen e turpit me prokurorin e atëhershëm federal të Floridës, Alexander Acosta. Mori një dënim të lehtë dhe trajtim shumë të mirë në një burg privat.Mendimi im për atë marrëveshje nuk është dhe aq negativ. Letrat e procesit bashkë me dëshmitë e vajzave janë të ashpra. Sot janë gra, por në atë kohë ishin me të vërtetë fëmijë! Krijova përshtypjen se Acosta ishte intimiduar prej ekipit të ëndrrave të avokatëve të Epstein. Ishin Alan Dershovitz, avokati i O.J.Simpson. Ken Starr, prokurori që luftoi për impeachment-in e Clintonit. Dhe Roy Black: në vitet 90 kishte liruar nga akuza e përdhunimit Uilliam Kennedy Smithin, një prej nipërve të JFK. 15 vjet më parë jetonim në një epokë të ndryshme nga kjo. Lëvizja MeToo nuk ishte krijuar ende. Dhe të sillje në gjykatë ato vajza të vogla, do të thoshte t’i trajtoje si prostituta. Do të kishin dalë me damkë për gjithë jetën. Përshtypja ime ishte se u përpoqën t’i mbrojnë pa mbuluar ngjarjet. Edhe pse për to, pak kujt iu bë vonë. Vetëm shefi i atëhershëm i policisë së Palm Beach, Michael Reiter dhe detektivi Joe Recarey u morën me këtë gjë të tmerrshme. Ishin të vetmit që u tronditën vërtet prej atij zbulimi.
Pse thoni që askujt nuk iu bë vonë për vajzat?Nuk u bëhej vonë atëherë, nuk u bëhet vonë as sot. Nëse historia doli sërish në dritë, 3 vjet pas botimit të librit tim, kjo ndodhi vetëm për shkak të përfshirjes së Alexander Acosta, i cili në ndërkohë ishte bërë Ministër i Punës i Donald Trumpit. Dhe në fakt Acosta u detyrua të dorëhiqet kur doli në pah çështja e burgimit të privilegjuar të Epsteinit. E kishin lejuar që të punonte nga shtëpia, ndërkohë që kthehej të flinte në një burg privat, me të gjithë rehatinë e nevojshme. Dhe ai kish rifilluar menjëherë me zakonet e vjetra.
Rezidenca e Donald Trumpit në Mar-a-Lago ndodhet pak kilometra larg prej vilave tuaja. A kishte dijeni për bëmat e Epsteinit? Po Bill Clintoni, që kish qenë mysafir në avionët e tij?Nuk dinin asgjë: do të kish dalë tashmë. Sigurisht, Trumpi e kishte vënë re që Epsteini shoqërohej gjithmonë me vajza të reja. Por nuk mendonte se ishin minorene. NDër personat e intervistuar në libër, është drejtuesja e Spa-së në Mar-a-Lago, klubi i Trumpit këty në Palm Beach. Më rrëfeu se Epstein bënte ndonjë gjë të papërshtatshme në atë klub. Ajo ia tha Trumpit dhe ai e dëboi. E ndaloi përgjithmonë. Sa për Bill Clintonin, miku im me të cilin sapo kemi botuar librin The President’s Daughter, jam i sigurt që edhe ai nuk dinte asgjë. Kam folur deri edhe me pilotët e atyre fluturimeve. Nuk kish ndodhur asnjëherë, asgjë e çuditshme. Gjithashtu Clintoni nuk kish ndenjur asnjëherë vetëm me të. I vetmi emër i madh mbi të cilin ka dyshime është Princi Andrea. Ose më saktë, nuk e di çfarë ka bërë, por në disa festa ka marrë pjesë vërtet.
Ju e frekuentoni Mar-a-Lagon? E njihni Donald Trumpin?E kam takuar po nuk e frekuentoj klubin e tij. Gazetat herë pas here shkruajnë të kundërtën: por kjo sepse mes të regjistruarve është një person që ka emrin dhe mbiemrin tim. Nuk jam unë, por një pronar i një zinxhiri restorantesh në Kentucky. Unë nuk i përkas askujt.
Po për vdekjen e Epsteinit në burg çfarë mendoni? Ishte vërtet vetëvrasje?Nuk më pëlqejnë teoritë e komplotit. Mendoj që është vetëmbytur: por jam i hapur ndaj idesë që dikush ka dashur ta heqë qafe. Sigurisht, vdekja e tij i ka sjellë rehati shumëkujt. Megjithatë, Epsteini e dinte që kohët kanë ndryshuar dhe nuk do të dilte më nga ai burg. Teoria e vetëvrasjes është e besueshme. Shikoni, realiteti është gjithmonë më i pabesueshëm se sa letërsia. Nëse për një roman do të kisha shpikur një personazh të tmerrshëm si ai, askush nuk do ta kishte besuar. Dhe shikoni kohët absurde në të cilat jetojmë: pandemia, Trumpi president i SHBA dhe marrëzitë e tij kundër shkencës… Kush do ta besonte, në një roman, që një personazh i tillë do të ishte në krye të Shtëpisë së Bardhë? Një roman i tillë do të ishte dështim. Nuk do ta blinte askush. Po, sot është gjithçka kaq shumë e pabesueshme, saqë pyes veten: kushedi nëse njerëzit do të dijnë ende të shkruajnë letërsi, kur të ketë marrë fund pandemia.
Edhe një shkrimtar si ju do të gjendet në vështirësi?Jo, unë jo. Të gjithë përveç meje. Unë kam shumë fletore plot me ide. Pastaj, veç letërsisë, tani më intereson të shkruaj histori të vërteta. Sapo ka dalë një libër imi mbi Kennedy. Po punoj me një tjetër për Cassius Clay dhe synoj të shkruaj një libër për John Lennon. Shkrimi i historisë së Epsteinit më hapi portën për një tjetër zhanër. Kam shumë për të shkruar. Dhe shumë për të bërë. / Il Venerdi – Bota.al