Nga Enver Robelli

Nëse ka një politikan që personifikon Gjermaninë – ai është Wolfgang Schäuble. Për herë të parë u zgjodh në parlamentin gjerman në vitin 1972. Ai ka qenë kryetar i partisë konservatore CDU, ministër në kabinetin e Helmut Kohlit, ministër në kabinetin e Angela Merkelit dhe tani është kryetar i parlamentit gjerman. Schäuble është 77-vjeçar. Për shkak të një sulmi nga një psikopat në vitin 1990 Schäuble është i lidhur për karrocën e invalidit. Ky sulm nuk e ka mposhtur vullnetin e tij për t’i shërbyer vendit. Në numrin më të ri të revistës DER SPIEGEL, Schäuble flet për Europën, gjendjen e SHBA-ve dhe planet e tij për pushime. Në vijim disa pjesë nga intervista:

SPIEGEL: Ju jeni fëmijë i paqes së pasluftës. Zhvillimi pozitiv i Republikës Federale të Gjermanisë pas vitit 1945 ka pasur shumë të bëjë me afërsinë dhe miqësinë me SHBA-të. Çfarë ndjeni përballë zhvillimeve aktuale?

Schäuble: Është tepër pikëlluese sa thellë është i përçarë ky vend i mrekullueshëm dhe kjo shoqëri. Ndoshta pas zgjedhjeve në nëntor do të bëhet sërish mirë – shpresoj shumë.

SPIEGEL: Çfarë domethënë presidenti i SHBA-ve Donald Trump për imazhin e Perëndimit dhe të demokracisë në botë?

Schäuble: Ndonëse Perëndimi ka bërë shumë gabime, unë nuk dua që modeli kinez të shihet në botë si më atraktiv, sepse ai sistem funksionon vetëm me çmimin e një strukture totalitare të pushtetit dhe të kontrollit total të individit.

SPIEGEL: Edhe gjatë krizës së koronës Kina po prezantohet si sistem gjoja më efikas.

Schäuble: Nëse ky është çmimi për efikasitet dhe kapacitet veprimi, atëherë nuk dua ta paguaj këtë çmim. Vlerat themelore, dinjiteti i njeriut, liria, të cilat janë krijuar nga Revolucioni Francez dhe nga Kushtetuta amerikane si themel i Perëndimit, ende garantojnë bashkëjetesën më të mirë të njerëzimit.

(…)

SPIEGEL: Do t’i kaloni pushimet në botën e jashtme?

Schäuble: Ne gjithmonë pushimet i kalojmë në Gjermani. Zakonisht në Detin e Veriut, kësaj radhe në Detin Baltik (pjesa gjermane, v.j.). Por së shpejti me siguri do të takohem me miqtë e mi politikë në Francë.

SPIEGEL: Ju kanë munguar udhëtimet?

Schäuble: Ah, jo. Në jetën time më është dashur të udhëtojë më shumë se ç’kam pasur dëshirë.