Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj vijoi sot në turin e komunikimeve të drejtpërdrejta, në një nga bizneset e hoteleri – turizmit në Golem, të mbështetur nga “Garancia Sovrane 1” e aprovuar për 60 punonjës. Denaj tha se “700 biznese kanë aplikuar për një vlerë kreditimi në 7 miliardë e 277 milionë për “Garancinë Sovrane 1” deri në fund të muajit maj dhe janë aprovuar 419 aplikime”.

“Turizmi është sektori që është afektuar goxha nga mbyllja. Ka shumë turistë të huaj që kanë vlerësuar në vite jo vetëm shërbimin në Shqipëri, bukurinë natyrore të Shqipërisë, por edhe investimet. Hapja e dyerve për sektorin e turizmit përballet me disa sfida, mbi të gjitha përballet me sfidën e kthimit të turistëve të huaj, por njëkohësisht edhe me atraksionin e turistëve vendas, për atë që ne e quajmë turizmi patriotik”, tha Denaj.

Ajo i drejtoi një ftesë gjithë shqiptarëve që ta vlerësojnë shërbimin, cilësinë dhe solidaritetin mes nesh, në mënyrë që pushimet t’i konsiderojmë përpara se të shkojmë jashtë, në Shqipëri”. Denaj tha se “70% e turistëve të huaj në vite kanë qenë polakë”. Sipërmarrësi u shpreh se “kemi ndjerë në rritje ardhjen e turistëve të huaj, është një trend i ri atraktiv që ata i befason”. “Ne jemi nga të parët që përfituam nga Garancia Sovrane, ndërsa punonjësit përfituan ndihmën 40 mijë lekë”, tha ai.