Maxhoranca është duke përgatitur një projektligj të ri për funksionimin dhe organizimin e policisë bashkiake. Drafti parashikon rregulla të reja jo vetëm në emërime, por edhe në misionin e saj.Një gjë të tillë e deklaroi ministri Sandër Lleshaj në Sarandë, gjatë një takimi që pati me drejtues vendor dhe të tjerë të zgjedhur, me të cilët diskutoi 4 pika të rëndësishme; turizmi, operacionet antidrogë, mbrojtja e mjedisit dhe veprimtarinë e OFL.
“Ne si Polici e Shtetit, jemi të interesuar që Policia Bashkiake të fuqizohet. Po punojmë aktualisht për të draftuar një ligj të ri për Policinë Bashkiake, i cili synon të rrisë nivelin e performancës, profesionalitetit dhe të integritetit të këtyre strukturave për t’i shndërruar ato de facto në një zgjatim në nivelin lokal.
Zgjatim në kuptimin e profesionalizmit, standarteve që plotësojnë, të kritereve që përmbushin, mënyra se si operojnë e të tjera. Ekziston nevoja për të transferuar disa përgjegjësi që sot i kryen Policia e Shtetit tek Policia Bashkiake. Ky do të ishte një lehtësim i madh për të dy policitë por edhe për rendin në tërësi. Ky diskutim do të vazhdojë, që të arrihet një zgjidhje, për bashkëpunimim më tej për këtë çështje”- tha Lleshaj.Drafti i ri parashikon që policia bashkiake, përpos të tjerave, kujdeset edhe për qetësinë publike, duke shmangur zëniet, mënjanuar zhurmat e shkaktuara nga grumbullimet e njerëzve, altoparlantët e radiove e magnetofonave, rënia pa vend e borive të automjeteve në rrugë, banesa, plazhe e mjedise të tjera publike, që sjellin shqetësime për të tjerët.
Po ashtu, policia bashkiake ka për detyrë që të ndalojë, shmangë e prishë ndërtimet e paligjshme, të ndalojë zëniet e paligjshme të trojeve dhe të ndërtesave e objekteve publike të bashkisë, si dhe të organizojë lirimin e tyre. Ndërkaq, grupi i punës po punon edhe për statusin e ri të punonjësit të policisë bashkiake. Ka një propozim që statusi i punonjësit të policisë bashkiake të jetë i njëjtë me statusin e punonjësit të Policisë së Shtetit.Një tjetër pikë e draftit lidhen me përdorimin e forcës. Policia bashkiake mund të përdorë forcën për të zbatuar kompetencat e saj. “Për rastet kur nevojitet zbatimi forcërisht i kompetencave, kryeinspektori në Policinë Bashkiake njofton me shkrim 5 ditë përpara personin e interesuar”, thuhet në projektligj.
Kur gjatë kryerjes së shërbimit konstatohen elemente të veprave penale, punonjësit e policisë së bashkisë dhe të komunës, në përputhje me dispozitat e kodit të procedurës penale marrin masa për shoqërimin e autorëve në komisariatin e policisë, ruajnë vendin e ngjarjes, fiksojnë dëshmitarët dhe ruajnë provat deri në ardhjen e policisë gjyqësore.