Përfaqësuesi i Partisë Socialiste në Këshillin Politik për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri, në një prononcim për mediat pas përfundimit të mbledhjes së sotme deklaroi se politika tashmë është bërë tri-polare, duke vlerësuar se duhet gjetur një zgjidhje për situatën.
Gjiknuri u shpreh se maxhoranca është e vendosur ta çojë marrëveshjen deri në fund. “PD kërkon pak a shumë të jetë KQZ siç është sot. Nëse duam ta mbajmë politike, të qëndrojnë kështu. U kthye një marrëveshje për të hyrë në zgjedhje. Partia Socialiste e ka thënë publikisht se ne do të respektojmë marrëveshjen që kemi me Partinë Demokratike. Por ky proces do të shikohet hap pas hapi.
Politika tashmë është bërë tri-polare e duhet gjetur marrëveshje edhe me ta. Maxhoranca duhet t’i shkojë deri në fund kësaj marrëveshje. ne do të punojmë me partitë e opozitës që të bindim ata që të vazhdohet me proceset integruese. Ne do të shprehemi të fundit për sistemin zgjedhor. Në bazë të mendimit të të tjerëve, do të japim në fund edhe mendimin tonë”, tha Gjiknuri.
Damian Gjinkuri u shpreh se Partia Socialiste është për krijimin e një organi të KQZ-së që të jetë i qëndrueshëm dhe i pavarur. “Jemi përpjekur të qëndrojmë një trup KQZ-je të rëndësishme të balancuar, profesionale dhe me mandate shumë më të gjata se sot. Kjo të bëhet me qëllim që depolitizimi të implementohet. Por PD sa duket ka kërkuar vetëm marrëveshje zgjedhore, do vetëm identifikimin elektronik të zgjedhësit. Ky ishte devijim i bisedës e ata duhet që të reflektojnë, sepse ata nuk mund të zhbëjnë parlamentin. PD do një KQZ siç ka qenë. PD kërkon sërish mandate 4 vjeçare për KQZ-në. PD kërkon procedura tenderimi. Kodi Zgjedhor nuk kërkon procedura për tendera”, deklaroi Gjiknuri.