Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se heqja e masave të reciprocitetit krijon hapësirë për dialogun me Kosovën. Ai tha se po e pret ardhjen e përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Mirosllav Lajçak, në Beograd dhe Prishtinë pas zgjedhjeve të 21 qershorit në Serbi.
“Kjo gjë e hapë mundësinë që ne të fillojmë bisedimet, nëse ajo masë mbetet për më shumë se disa ditë dhe besoj se nuk është çështje përndjekjeje dhe rivaliteti në mes të dy palëve, por një çështje thelbësore, çështje e lëvizjes së lirë të mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit, një nga liritë më të rëndësishme të botës moderne, dhe besoj se do të ketë një efekt të mirë në ekonominë e Beogradit dhe Prishtinës, do të ketë një efekt të mirë te njerëzit. Pra, jo vetëm serbët, por edhe shqiptarët, kjo do të krijojë një lloj kornize në mënyrë që komunitetet tona të biznesit të mund të bashkëpunojnë më mirë. Sigurisht, kjo do të hapë mundësinë e dialogut politik në mes nesh”, u shpreh Vuçiç, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Vuçiç po ashtu tha se ka hequr dorë, nga siç u shpreh ai, nismat e mëdha për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe është duke pritur propozimin.
“Unë jam i vetëdijshëm se të gjithë ne së bashku jemi të vegjël dhe sigurisht që gjithmonë do të ketë në Ballkan të tillë që do të shikojnë mënyra për të kënaqur të mëdhenjtë, shumë më tepër sesa të krijojnë marrëdhënie më të mira me miqtë ose fqinjët e tyre. Kështu që unë kam hequr dorë nga disa iniciativa të mëdha dhe jam duke pritur për të parë se çfarë do të na propozohet. Dhe nëse më pyet, kjo është arsyeja pse unë e thash atë, çfarë saktësisht është ajo që pres. Nuk pres asgjë. Unë nuk e di se çfarë të bëj. Kur them diçka do të jetë, por nuk e di se çfarë të pres. Asgjë konkrete”, deklaroi Vuçiç.