Që pas ditës së djeshme, datë 2 qershor 2020, falë konsultimeve të njëpasnjëshme dhe të pandërprera të autoriteteve shqiptare me ato të Republikës së Kosovës, është lejuar qarkullimi normal i automjeteve në pikën e kalimit kufitar Morinë-Vërmicë. Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme njoftoi sot mbi çështjen e hyrjes në Republikën e Kosovës, duke informuar të gjithë shtetasit shqiptarë që duan të hyjnë në Republikën e Kosovës, dhe e kanë të kryer testin COVID-19, jo më vonë se katër ditë nga dita e hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës, se nuk janë të detyruar të qëndrojnë në vetizolim.
Në rastet kur testi nuk është kryer nga shtetasit të cilët duan të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, ata do të duhet të nënshkruajnë deklaratën për vetë izolimin për një periudhë prej 7 ditësh, thekson MEPJ. Gjithashtu, MEPJ bën me dije se, për të hyrë në territorin e Republikës së Kosovës, shtetasit e huaj që nuk kanë test të COVID-19 duhet të kenë dëshmi të ligjshme për vendqëndrimin e tyre në Kosovë (leje qëndrimi dhe kontratë qiraje, si dhe dëshmi të tjera të pranueshme). Kjo procedurë është e nevojshme, në mënyrë që të sigurohet se ata do të respektojnë masën e vetizolimit. Në rast se shtetasit nuk paraqesin dëshmi të vendqëndrimit ku do ta kryejnë vetizolimin, nuk do të lejohen të hyjnë në Republikën e Kosovës.
Përjashtim nga ky rregull bëjnë vetëm studentët të cilët do të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, për nënshtrim të provimeve, por me kusht që të kthehen në shtetet e tyre brenda së njëjtës ditë. Hyrja bëhet duke dëshmuar identitetin studentor me një dokument të vlefshëm të lëshuar nga Institucioni përkatës arsimor në Republikën e Kosovës, shton MEPJ. Po ashtu, MEPJ informon se, në rast se ekipi mjekësor, i cili ndodhet në pikat e kalimit kufitar, vlerëson se personat që duan të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, kanë simptoma të COVID-19, këta të fundit do të japin udhëzimet e duhura se si shtetasit duhet të veprojnë. Të gjithë shtetasit që kanë për qëllim kalimin transit në Republikën e Kosovës, përjashtohen nga këto rregulla, thekson MEPJ.