Ish-kampioni i botës në peshën e rëndë, boksieri meksikian Andy Ruiz Jr ka deklaruar se dëshiron të përballet me çdo kusht me britanikun Dillian Whyte. Meksikani kërkon t’ia mbyllë një herë e mirë gojën rivalit, pas deklaratave që Whyte ka bërë kundër Ruiz.

Dillian Whyte ka deklaruar më herët se i ka ofruar 5 milionë dollarë Andy Ruiz për t’u përballur së bashku, por meksikani ka refuzuar. “Unë kam disa prioritete në karrierën time dhe shpresoj t’i realizoj ato. Dua të befasoj sërish botën, por dua të vë edhe pak drejtësi”, tha Ruiz.

“Të gjithë e dinë që dua të dueloj ndaj Fury apo sërish ndaj Joshua. Por dua edhe të përballem me Dillian Whyte dhe t’ia mbyll gojën, pasi flet shumë dhe thotë gjëra të pasakta për mua. Shpresoj ta arrijmë një marrëveshje për t’i treguar atij se kush jam unë”, tha Ruiz.