Ndërsa infeksionet masive godasin edhe në vendet që dukeshin se e kishin zbutur koronavirusin, zyrtarët po kthehen drejt qasje të targetuara dhe të shpejta por fleksibël, për të ndaluar valët e treta ose të katërta.
Kina po teston punonjësit e restoranteve dhe shoferët shpërndarës të ushqimeve, bllok pas blloku pallatesh. Koreja e Jugut u thotë njerëzve të mbajnë dy lloje maskash për situata të ndryshme sociale me risk. Gjermania kërkon që komunitetet të mbyllen kur numri i infeksioneve kalon pragje të caktuara. Britania do të ketë në shënjestër shpërthimet lokale.
Në të gjithë botën, qeveritë që dukej se e kishin zbutur koronavirusin po përshtaten me realitetin e ri, dhe mendimin se sëmundja është këtu për të qëndruar. Por duke u larguar nga izolimet e dëmshme mbarëkombëtare, ato po kërkojnë mënyra të targetuara, për të gjetur dhe ndalur shpërthimet para se të bëhen valë të treta ose të katërta.
Ndërsa detajet ndryshojnë, strategjitë synojnë t’u japin qeverive fleksibilitet, që të shtrëngojnë ose lehtësojnë masat, sipas nevojës. Ato synojnë një përzierje të testimit dhe monitorimit intensiv, kohë të shpejtë të reagimit nga autoritetet, menaxhim strikt të kufijve dhe kujtesa të vazhdueshme për qytetarët, mbi rreziqet e kontaktit të shpeshtë njerëzor.
Strategjitë shpesh i detyrojnë qeveritë qendrore dhe zyrtarët lokalë të ndajnë të dhëna dhe të punojnë ngushtë së bashku, duke kapërcyer sistemet kompjuterike të papajtueshme, luftërat e egove dhe rivalitetet e tjera burokratike. Tashmë, në Britani, disa zyrtarë lokalë thonë se përpjekjet e tyre nuk janë të koordinuara sa duhet.
Ndryshimi i strategjive është një konfirmim që edhe vendet më të suksesshme nuk mund të shpallin fitoren, derisa të gjendet një vaksinë. Ato gjithashtu nxjerrin në pah sfidën e përballuar nga vende si Shtetet e Bashkuara, Brazili dhe India, ku autoritetet kurrë nuk frenuan plotësisht shpërthimet fillestare, dhe nga ku koronavirusi do të rrezikojë të përhapet.
“Gjithmonë do të jetë me ne,” thotë Simon James Thornley, epidemiolog nga Universiteti i Auckland në Zelandën e Re. “Unë nuk mendoj se mund ta eliminojmë virusin. Ne do të duhet të mësojmë të jetojmë me virusin”.
Edhe në vendet ku koronavirusi dukej se ishte nën kontroll, shpërthimet masive mbeten një rrezik i madh. Në Tokio, ka pasur 253 infeksione të reja javën e kaluar, 83 nga një lagje me klube nate. Në Gütersloh në Gjermaninë perëndimore, më shumë se 1.500 punëtorë nga një fabrikë për përpunimin e mishit dolën pozitivë, duke bërë që autoritetet të mbyllnin dy qarqe. Koreja e Jugut, një tjetër shtet që u lëvdua për reagim të shpejtë, ka njoftuar dhjetëra infeksione të reja ditët e fundit.
Në Romë, e cila kohët e fundit doli nga një prej izolimeve më të rrepta në Evropë, 122 persona janë pozitivë, të lidhur me një rast vatre në një spital, Instituti San Raffaele Pisana. Disa ditë më vonë, 18 njerëz që jetojnë në një ndërtesë me banjë të përbashkët dolën pozitivë me virusin.
“Sapo ne ulëm vigjilencën”, thotë Paolo La Pietra, që zotëron një dyqan duhani në këtë lagje, “na goditi”.
Koreja e Jugut e quan strategjinë e saj “karantinë të jetës së përditshme”. Vendi kurrë nuk zbatoi masat e rrepta që u panë në vende të tjera, dhe masat për distancimin shoqëror, megjithëse inkurajohen fuqimisht, mbeten udhëzime. Megjithatë, ajo ka vendosur një objektiv të një maksimumi rreth 50 infeksioneve të reja në ditë – një objektiv që thotë se sistemi i vet shëndetësor publik, duke përfshirë edhe testimin dhe aftësinë për gjurmim, mund t’i përballojë.
Zyrtarët zhvendosin rregullat sipas nevojës. Pas një vale të dytë të infeksioneve që shpërtheu në Seul, zyrtarët e qytetit i detyruan njerëzit të mbajnë maska në transportin publik dhe ambiente të mbyllura publike për dy javë. Qeveria e Koresë së Jugut ka shtuar udhëzime të reja pasi ka mësuar më shumë rreth shpërthimeve. Këshillon kompanitë që punonjësit të ulen në një mënyrë zigzage. Kondicionerët duhet të fiken çdo dy orë dhe dritaret duhet të hapen për të rritur ajrosjen, thotë ai. Ajo gjithashtu ka këshilluar njerëzit që të mbajnë dy lloje maskash gjatë verës – një maskë kirurgjikale dhe një maskë të rëndë, të ngjashme me maskat e frymëmarrjes N95, që mbajnë punonjësit e kujdesit shëndetësor, për t’u përdorur në ambiente të mbushura me njerëz.
Japonia, e cila pati vetëm izolime të kufizuara, dëshiron gjithashtu t’i mbajë të lehta kufizimet, për të ndihmuar në rimëkëmbjen e ekonomisë. Ajo po mendon të lejojë udhëtarët nga Australia, Zelanda e Re, Tajlanda dhe Vietnami. Si shtet ishull, Japonia nuk mund të përballojë mbajtjen më gjatë mbyllur të kufijve, tha Shinzo Abe, kryeministri i vendit. Të premten e kaluar, Japonia krijoi një aplikacion të gjurmimit të kontakteve, që do të paralajmëronte përdoruesit nëse ata kanë qenë në kontakt me një person që ka dalë pozitiv në 14 ditët e fundit. Operatorët hekurudhorë kanë krijuar një aplikacion dhe faqe interneti, ku u thonë udhëtarëve se sa trenat janë të mbushur, në çdo kohë.
Zyrtarët gjithashtu po paralajmërojnë njerëzit që të ndryshojnë mënyrën e të jetuarit. Megjithëse baret dhe klubet po rihapen, bujtësve u është thënë që të përmbahen nga të qenit pranë klientëve, kur këndojnë karaoke dhe vallëzojnë. Klubet e natës duhet të minimizojnë muzikën dhe vëllimet e turmave për të zvogëluar përhapjen e pikave të frymëmarrjes. Qytetarët këshillohen që të vazhdojnë të shmangin aktivitetet e mbyllura, të mbushura me njerëz dhe kontakte të afërta.
“Ne kemi nevojë të forcojmë ekonominë duke kontrolluar rreziqet e infeksionit me masa më pak kufizuese, si dhe të ndërmarrim masa të cilat vënë më shumë theksin në mbrojtjen e vendeve të punës dhe të jetës,” tha Abe. Disa vende, si Kina, po mësojnë të lehtësojnë metodat e tyre më drakoniane. Qeveria kineze praktikisht izoloi dhjetëra miliona njerëz në qytetin e Vuhanit dhe rrethinat e Provincës Hubei kur filloi shpërthimi. Të vetëdijshëm për dëmin ekonomik, udhëheqësit kinezë kanë miratuar kufizime më të lehta. Në Pekin, zyrtarët u thanë banorëve se mund të hiqnin maskat në rrugë. Kontrolli i temperaturës në qytet u bë më pak i përhapur.
Pastaj, më 12 qershor, zyrtarët e Pekinit njoftuan se 53 persona kishin rezultuar pozitivë për koronavirusin. Në vend që të mbyllnin kryeqytetin, zyrtarët mbyllën menjëherë një treg dhe izoluan komunitetet e banimit përreth tij, si dhe mobilizuan afro 100,000 punonjës të komunitetit për të testuar afro 2.3 milion banorë në një javë. Një qytet aq i madh sa Pekini nuk mund të jetë në një gjendje lufte përgjithmonë”, tha Mao Shoulong, profesor i politikave publike në Universitetin Renmin të Pekinit. “Sa kohë mund ta durojmë këtë?”
Në dallim nga Vuhani, përpjekja ishte e targetuar. Lagjet e tjera të Pekinit qëndruan të hapura si zakonisht. Qeveria kineze ka tendencë të favorizojë një qasje të testimit masiv të përqendruar në grupe specifike – përveç njerëzve të lidhur me tregun, ajo tha se do të testojë gjithashtu banorët që jetojnë në lagje me rrezik të lartë dhe të mesëm, restorante dhe punonjës shitjesh me pakicë, studentë dhe mësues, si dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor. Strategjia e Kinës nuk është që infeksionet të shkojnë në zero, tha Zhang Venhong, këshilltar i qeverisë së Shanghait për pandeminë. Në vend të kësaj, në një intervistë me revistën Caixin të Kinës, ai përshkroi planin e Kinës si “afrim sa më shumë tek zero raste”.
“Parandalimi dhe kontrolli me përpikëri, shoqëruar me trajtim të shpejtë mjekësor,” tha Dr. Zhang. “Kjo strategji do të jetë e zbatueshme për Kinën për një kohë të gjatë”. Qeveritë evropiane po mësojnë gjithashtu të jenë më fleksibël pas reagimeve të para të forta, megjithëse procesi mund të jetë i ngadaltë. Në Gjermani, zyrtarët kanë përcaktuar që rajone ose bashki që regjistrojnë më shumë se 50 infeksione të reja për 100,000 njerëz brenda shtatë ditësh, duhet të reagojnë shpejt për të ndalur shpërthimin, duke përdorur mjete si mbylljet e shkollave, karantinat e plota dhe testimet masive.
Megjithëse shumë nga këto përpjekje janë tejet lokale, ato kërkojnë një koordinim të ngushtë me zyrtarët qendrorë dhe juridiksionet fqinje. Për shembull, Anglia po eksploron izolime të kufizuara, rreth vatrave të infeksioneve, por zyrtarët vendas paralajmërojnë se sistemi është plot me të meta.
Zyrtarët e shëndetësisë në Angli, Uells, Skoci dhe Irlandën Veriore janë kryesisht përgjegjës për strategjitë e tyre. Në Angli, ku zyrtarët lokalë janë ankuar për mungesën e të dhënave të testimit nga qeveria qendrore, punëdhënësit ose menaxherët e ndërtesave kanë marrë përsipër përpjekjen, duke ndjekur infeksionet dhe duke iu përgjigjur shpërthimeve. Disa, si zyrat qendrore të një shitësi me pakicë në lindje të Lancashire, janë vlerësuar nga zyrtarët e shëndetit publik për veprimet e shpejta.
Por kontrolli i virusit do të kërkonte një kuptim të mirë se ku ndodhet, ku është duke inkubuar, gjë kjo veçanërisht e vështirë për një sëmundje, në të cilën 80 përqind e rasteve kanë simptoma të buta. Disa drejtues lokalë të shëndetit publik thanë në intervista se kanë mësuar për shpërthime nga lajmet. Niveli i detajeve që zyrtarët duhet të japin për mbylljet e lokalizuara – kodet postare të njerëzve që dalin pozitivë, për shembull – mbetet i pakapshëm.
“Cdo pandemi fillon si një shpërthim lokal,” thotë Lincoln Sargeant, drejtori i shëndetit publik në North Yorkshire. “Eshtë informacion kokrrizor që na nevojitet në kohën e duhur.” Kryeministri Johnson ka pohuar se mbylljet lokale janë të mjaftueshme për të kontrolluar valët e reja të virusit. Në fillim, qeveria “kishte shumë pak instrumente në dispozicion “, tha ai të premten. Tani, tha ai, zyrtarët mund të “identifikojnë shpërthimet atje ku ndodhin”. Në Romë, shpërthimi në Institutin San Raffaele Pisana testoi aftësinë e autoriteteve lokale për të gjetur dhe ndaluar shpërthimet.
Zyrtarët lokalë të shëndetit testuan pacientët dhe stafin në spital, zbrazën tre reparte dhe mbyllën ndërtesën. Ish pacientët dhe kontaktet e tyre u vunë në radhë, në makinat e tyre, në stacionet e lëvizshme të testimit. Prokurorët e Romës hapën një hetim mbi origjinën e vatrës.
Një nga personat që u sëmurën ishte një pulmonolog, Vittorio Bisogni. Ai zbriti me pak ethe, pasi vizitoi një pacient i cili kishte dalë nga spitali. Dr. Bisogni u diagnostikua me virusin më 9 qershor. Pacienti i tij vdiq disa ditë më vonë. “U zemërova,” tha Dr. Bisogni, “Pasi u goditëm kaq rëndë, ne nuk mund të lejojmë që të jemi kaq naivë”.