Futbolli italian vërtet nisi pa gola, me një gabim të Ronaldos që pak e prisnin dhe me një çmenduri të Rebiçit i cili doli pas vetëm 16 minutash me karton të kuq, por ndërkohë rinisi edhe një panoramë shumë pozitive, siç ishte gjykimi i arbitrit Daniele Orsato.“Xhaketat e zeza”, të cilat në Serinë A janë shumë shpesh të kontestuara, dje bënë një paraqitje fantastike, aq sa Orsato ndoshta ishte më i miri nga ata që zbritën dje në fushën e lojës, duke merituar notën 7 nga ish-kolegu i tij, Mauro Bergonzi, që bëri moviolën për televizionin “RAI”: “Orsato meriton notën 7, për faktin që çdo vendim e konsultoi me kolegët, ndërsa dhoma e VARit meritoi notën 8.5 për shpejtësinë në reagim dhe korrektimin e vendimeve fillestare të fushës”.

MINUTA 13 – Penallti për Juventusin. Ronaldo kontrollon me gjoks topin në zonë, por Konti, për të evituar që portugezi të marrë kontrollin e sferës, zgjat më shumë se ç’duhet bërrylin e djathtë. Orsato fillimisht lejoi avantazhin, por u thirr nga VAR-i për të riparë momentin dhe akordimi i penalltisë ishte korrekt, duke qenë se mbrojtësi i Milanit shton ndjeshëm volumin e trupit, teksa kërkon kontaktin me topin.MINUTA 16 – Karton i kuq për Rebiçin! Sulmuesi i Milanit ndërhyn menjëherë, në ajër dhe pa kontakt me topin, me taka në gjoks ndaj Danilos. Orsato nuk nxitohet, por edhe pse me kartonin e verdhë, pas konfrontimit me arbitrin e katërt Masa, vendos që të nxjerrë të kuqin. Edhe në këtë rast, vendim i drejtë.

MINUTA 42 – Goditje dënimi e butë e Çalhanoglusë drejt zonës. Kjaer nuk arrin që të godasë topin me kokë, pasi shtyhet nga Bonuçi. Limitet për penallti mund të ekzistonin, por Orsato akordon pozicion jashtë loje për mbrojtësin kuqezi dhe moviola konfirmon vendimin e drejtë.