Megjithëse pak bizneseve në zonën e Kallmit u është dashur mund për të hapur bare buzë detit, plazhi vijon të frekuentohet prej të pasionuarve për natyrën, ndërsa kodrat rreth tij vujanë nga erozioni dhe zjarret e shpeshta.
Nga Gëzim Kabashi
Gerta dhe Andoni, dy të rinj nga Tirana, sapo rifilloi lëvizja e mjeteve pas pandemisë së zgjatur nga Covid-19 i janë drejtuar Durrësit. “Kemi ardhur në Kallm vetëm për të shijuar qetësinë e plazheve dhe për të parë perëndimin e diellit”, – tregon Gerta.
Nga kodra e gjelbëruar drejt detit, ata e kanë gjetur lehtë vendin e zakonshëm mes blloqeve natyrorë të zhavorrit, të cilët përveçse në breg, nxjerrin krye edhe mbi ujin e pastër, deri në një largësi 200-300 metra.
Nga i gjithë bregdeti ranor i Adriatikut në vendin tonë, vetëm në Kallm dominojnë plazhet e vegjël intimë shumë pranë gjelbërimit të kodrave, dhe përngjasimi me bregdetin e jugut është i madh. Flora dhe fauna e pasur pranë shkëmbinjve japin ende mundësinë e gjuetisë nënujore me pushkë deti, ndërsa mbrëmjet janë një spektakël i vërtetë natyror.
Kjo është arsyeja që shumëkush këtë zonë e quan “Riviera e Durrësit”. “Ama, rruga është thuajse e shkatërruar dhe me gropa të shumta, kurse diku tjetër ka mbetur ende kalldrëmi i shekullit të kaluar”, – thotë Andoni, i cili bashkë me çadrën e diellit ka filluar të instalojë edhe një tendë për të kaluar natën.
Plazhet e Kallmit fillojnë menjëherë pas shëtitores bregdetare dhe Currilave, 2 km larg qendrës së qytetit të Durrësit, për të vijuar në rripin mes kodrave dhe detit, thuajse deri në Porto Romano, 6 apo 7 km më në veri.
Vend i vështirë për biznes
Rezart Kthupi, familja e të cilit ka trashëguar një sipërfaqe toke në këtë zonë, ka hapur aty një lokal, por mungesa e infrastrukturës elementare ia ka bërë të vështirë punën.
“Për të sjellë korentin deri në lokalin tim, më është dashur të instaloj mbi një mijë metra kabëll duke filluar nga kabina” – tregon Rezarti, ndërsa shton se deopzitat e ujit i kam vendosur lart në kodër.
Përballë nesh shihen herë pas here autovetura, që troshiten nga rruga e shkatërruar prej erozionit dhe ujrave që zbresin nga kodrat. Ndonjë kamionçinë sjell nga qyteti tavolinat dhe ndenjëset e plazheve.
Në zonën bregdetare të Kallmit funksionojnë 6 – 7 biznese si bar-restorante me plazhet përkatëse.Plazhistët janë ende shumë të pakët në numër dhe udhëtarët që zbresin duket sikur kërkojnë informacion për ditët e ardhshme.
“Nuk është e lehtë të bësh biznes në zonën e Kallmit”, thotë edhe një anëtar i familjes Rexha, prona e të cilëve fillon pas asaj të familjes Kthupi. Mungesa e planeve afatgjata nga ana e shtetit i ka detyruar pronarët e tokave këtu të mos bëjnë investime të mëdha.
“Na duhet të shpojmë për të nxjerrë ujë, pasi tubacionet nuk mbërrijnë deri këtu”, – thotë Rexha, që duket i lodhur nga mungesa e perspektivës së afërt për pronën.
“Pronat në zonë u janë rikthyer trashëgimtarëve në vitin 1995”, – tregon Rezart Kthupi, por gjendja e tyre ka mbetur e pandryshuar. Ndonjë prej familjeve me shumë trashëgimtarë është lodhur nga pritja e gjatë dhe ka vendosur ta shesë pronën.
Pranë rrugës janë shtuar tabelat me shënimin “Tokë private” apo “Shitet toka”, poshtë të cilave zakonisht shkruhet edhe një numër telefoni.
Pasardhësit e familjeve Kapedani, Bekteshi, Kthupi, Rexha, Kalamishi, Mara, Kadiu apo Vogli, së bashku me rreth 20 të tjera po nga Durrësi, që kanë trashëguar pronat e paraardhësve të tyre i binden një rregulloreje të bashkisë të vitit 2013, e cila pranë detit lejon vetëm ngritjen e kontruksioneve të lehta që shërbejnë si lokale plazhi, ndërsa mbi rrugë nuk tolerohet asnjë ndërhyrje.
Por përtej këtyre ndërhyrjeve projektet e deritanishme për zonën e Kallmit kanë qenë mjaft të cunguara. Kjo ka pasur anën e saj të mirë, mungesa e një investimi për rrugën ka shërbyer për bllokimin e ndërtimeve, që mund të kompromentonin zhvillimin e ardhshëm të kësaj zone.
Zjarre dhe erozion
Megjithatë edhe pa rrugën ndërhyrjet kanë qenë mjaftueshëm rrënuese. Emri i Kallmit thuhet se vjen nga kallamat e shumtë, u gjelbëruar me ullinj në vitet 1960, por ullishta dhe pylli janë djegur herë pas here në vitet 2000.
Mungesa e bimësisë dhe faqet e rrëpirëta e kanë ekspozuar atë ndaj erozionit. “Në shumë vende, kodra mjaft e pjerrët dhe me formacione të buta ka rrëshqitur drejt detit. Erozioni përbën një rrezik të dukshëm edhe pranë plazheve” – thotë Kthupi, ndërsa tregon se si ndërhyrjet e barinjve kanë djegur ullishtat apo pjesë nga pylli duke i dhënë një dorë erozionit.
Familjet që kanë rimarrë pronat apo janë kompensuar në këtë zonë në pritje për të shfrytëzuar truallin për ndërtime kanë ngritur struktura prej druri (tek tuk edhe prita betoni), të cilat kanë marrë edhe emra kumbues plazhesh me frekuentues të rinj.
Gjithçka vazhdon për 3-4 km dhe ndërpritet të Përroi i Thatë, atje ku rruga bëhet e pamundur. Deri në Porto Romano në breg mund të zbresin vetëm pasionantët, që kërkojnë aventurën.
Bukuria e plazheve dhe kodrave mund të shijohet edhe në një shëtitje me barkë që fillon në Currila dhe përfundon në Kepin e Palit.
Ramadan Qehajaj, i cili ka kryer shërbimin ushtarak në një nga repartet e kësaj zone, thotë se e njeh në çdo metër. “Dy vjet me radhë e kam shëtitur me pëllëmbë të gjithë Kallmin”, – tregon ai për BIRN. “Asnjë civil nuk lejohej të kalonte këtu, dhe kur shikoj barinj që kanë ngritur stane, që presin pemët apo që i venë edhe zjarrin më vjen të plas”, –thotë Dania.
Ai kujton se flakët kanë rrezikuar disa herë një depo municionesh, të cilat i transferuan para se të ndodhte ndonjë hata.
Specialistët po ashtu mendojnë se ndërtimet masive nuk janë një alternativë në këtë zonë. Kodrat e thepisura kanë rrisk të madh rrëshqitjeje si dhe sizmicitet të lartë, sipas specialistëve vendas dhe të huaj zona e kodrave perëndimore të Durrësit klasifikohet si territor me “rrezik të lartë, ku fenomenet e rrëshqitjes mund të jenë të pranishme në tërmetet e ardhshme”.
Megjithatë në këtë fillim sezoni hallet e biznesve të pakta këtu janë të ndryshme. Sezoni ka filluar vonë për shkak të pandemisë së zgjatur dhe vetëm sëfundmi punonjësit kanë filluar të sistemojnë gjithçka u duhet pushuesve, por ata ndjehen të pasigurtë nëse do mund të plotësojnë standardet e mbrojtjes shëndetsore të vendosura nga shteti.