Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, deklaroi sot se “këtë vit turizmin patriotik e kemi shumë të nevojshëm dhe bëmë një gjë shumë të madhe e hapëm kufirin të parët në rajon. Vetëm në 20 ditët e para të qershorit janë 120 mijë pasaporta të huaja që janë futur në Shqipëri”.
Në një interviste televizive, Klosi tha se “është një shifër më pak se qershori i 2019, ku ishin 600-700 mijë, është një rënie e madhe e lëvizjes, por shpresojmë që në korrik dhe gusht, që ka dhe numrin më të madh të pasaportave të huaja, të ketë më shumë lëvizje”.
Sipas tij, çarteri parë turistik në Europë erdhi në Shqipëri nga Bjellorusia.
“Deri tani nga data 12 kanë ardhur 6 çarterë nga Bjellorusia. Çarteri i parë që Ukraina nxori me turistë ka ardhur në Shqipëri të premten, ndërkohë që do vijnë 5 çarterë në javë nga Ukraina. Ne bëmë disa lëvizje në kuadër të politikave që po ndjek secili shtet për të promovuar Shqipërinë si destinacion i qëndrueshëm”, – theksoi Klosi. Ministri Klosi u shpreh se “jemi në shifra shumë të mira për sa i përket menaxhimit të koronavirusit”.
Më tej, ministri Klosi u shpreh se “dakordësitë dhe politikat e hartuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit kanë bërë që turizimi të shndërrohet në një degë të rëndësishme të ekonomisë, por që padyshim ka nevojë për ndryshime të mëdha në infrastrukturë. Ka gjithashtu nevojë për investime nga bashkitë për të trajtuar zonat e turizmit, ka nevoja shumë të mëdha për politika fiskale, për politikat e ruajtjes së jetës së qytetarëve nga pikëpamja e rendit dhe shëndetësisë”.
“Është një sektor kaq miks, i cili pa i bërë qytetet të vizitueshme, pa investimet që janë bërë në infrastrukturën rrugore, në të gjithë imazhin e Shqipërisë turistike, por edhe pa investimet e jashtëzakonshme që janë bërë nga komuniteti lokal i biznesit do të ishte e pamundur të kishte progres”, – nënvizoi Klosi.
Ministri Klosi tha se “rritja e shifrave në këto 7 vite të qeverisë së Edi Ramës krahasuar me atë që gjetëm në 2013 është e dukshme. Nga më pak se 3 milionë turistë kemi vajtur në 6.4 milionë turistë e kjo dëshmon që ka një investim të jashtëzakonshëm nga pikëpamja e zhvillimit të infrastrukturës turistike”.
“Këtë vit kemi më shumë të nevojshëm se kurrë turizmin patriotik, në mënyrë që të afërmit tanë të vijnë t’i kalojnë pushimet në Shqipëri”, – tha Klosi.