Kombëtarja shqiptare e Futbollit do të zhvillojë një ndeshje miqësore me Armeninë në 7 tetor të 2020.
Lajmi u konfirmua nga Federata Shqiptare e Futbollit që ka arritur marrëveshjen me Federatën Armene të Futbollit për zhvillimin e kësaj sfide pikërisht në kryeqytetin e Armenisë, Jerevan. Ajo e 7 tetorit do të jetë përballja e 6 mes Kombëtares shqiptare dhe Armenisë. Në 5 sfidat e para bilanci flet për skuadrën kuqezi që ka 3 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje.

Sfida e fundit mes këtyre dy skuadrave ishte edhe ajo që nuk do të harrohet kurrë nga shqiptarët, e zhvilluar në 11 tetor të 2015 kur me fitoren 3-0 në Jerevan, skuadra jonë përfaqësuese e Gianni De Biasit bëri historinë teksa siguroi kualifikimin për herë të parë në fazën finale të një evenimenti madhor si Evropiani i Francës në 2016. Përveç miqësores, kombëtarja shqiptare në do të luajë edhe dy ndeshje zyrtare për UEFA Nations League me Kazakistanin dhe Lituaninë pikërisht në 10 dhe 13 tetor.