Policia e Shtetit ka kërkuar vigjilencë nga qytetarët teksa zbulon një tjetër skemë mashtrimi online, për t’u marrë para.

Përmes mesazheve në telefonat e qytetarëve, autorët paraqiten në mënyrë të rreme si përfaqësues të institucioneve bankare dhe u kërkojnë qytetarëve të përditësojnë të dhënat bankare, të verifikojnë llogarinë apo të kryejnë veprime të tjera, duke klikuar në një link të përfshirë në mesazh.

Bëhet fjalë për skema mashtrimi të tipit “phishing”, të cilat synojnë vjedhjen e kredencialeve të e-banking, kodeve të verifikimit (OTP), si dhe të dhënave të kartave bankare. Këto të dhëna mund të përdoren më pas për kryerjen e transaksioneve të paautorizuara dhe shkaktimin e dëmeve financiare.