Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj zhvilloi sot një vizitë pune në bashkinë e Korçës, me qëllim diskutimin e masave të ndërmarra nga qeveria, në mbështetje të rimëkëmbjes së biznesit pas vështirësive të krijuara nga situata postCOVID 19.

“Zhvillimi i rajonit të Korçës, është shembull i angazhimit të sipërmarrësve novatorë dhe të organizuar. Prioritet në vazhdimësi të punës tonë është zhvillimin ekonomik i zonës”- u shpreh Denaj. Numri i bizneseve të reja në rajonin e Korçës është rritur me 45% në raport me vitin e shkuar, pavarësisht pandemisë, tha ministrja. Likuiditeti në këtë fazë të ringritjes së ekonomisë është shumë i rëndësishëm për të materializuar investimet dhe shërbimet, theksoi ajo.

Denaj informoi se 4 mijë e 500 biznese dhe mbi 10 mijë qytetarë kanë përfituar nga dy paketat e Qeverisë në Korçë. Nevoja për likuiditet adresohet për të gjitha bizneset përmes dy Garancive Sovrane të Qeverisë, të cilat janë në zbatim nga Bankat e nivelit të Dytë, theksoi ministrja. Kryetari Filo nga ana e tij tha se, politikat lehtësuese dhe mbështetëse për biznesin dhe sipërmarrjen, për kapërcimin e vështirësive të krijuara nga COVID-19, po zgjerojnë përmasat në disa nivele.

Këshilli bashkiak i Korçës ka miratuar përjashtimin nga pagesa e tarifës për zënien e hapësirës publike për muajin qershor për 354 subjekte. Ndërsa 56 subjekte të transportit të udhëtarëve në linjat urbane dhe ndërurbane, për periudhën mars e deri në rinisjen e aktivitetit, përjashtohen nga pagesa e tarifës së parkimit, u shpreh Filo. Më tej Denaj vazhdoi edhe takimet me biznesin për të diskutuar rreth Pagës së Luftës dhe Kredisë Sovrane e mbështetjen e bizneseve dhe punonjësve nga këto dy paketa.