Kreu i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj thotë se qytetarët janë tepër mosbesues ndaj pandemisë së koronavirusit për një sërë arsyesh. Sipas tij, një nga arsyet është se në fazën e parë të përhapjes së koronavirusit, duke parë edhe vendet si Italia e Spanja që u goditën rëndë, shumë njerëz menduan se kush prekej nga virusi “do të vdiste”.

Brataj tha se mosbesimi i disa njerëzve shkon deri aty sa e akuzojnë se ka bërë sikur është sëmurë me Covid-19. “Ka njerëz që më thonë “bravo të qoftë, e luajte bukur rolin si i sëmurë,” tha Brataj, i cili u prek nga koronavirusi në mes të muajit mars, por e kaloi në shtëpinë e tij pa komplikacione të rënda.