Nga Albert Nikolla – Zv.Ministër i MSHMS-së
Dhuna ndaj fëmijëve në të gjitha format e saj është brutale, e shëmtuar, por përfton përmasë dramatike, sidomos në versionin e saj seksual. Dhu na se ksuale ndaj fëmijëve është dukuri botërore dhe as Shqipëria nuk bën përjashtim. Dhu na ndaj fëmijëve krijon një efekt të menjëhershëm në media, por ata që e vuajnë në mënyrë të vazhdueshme janë fëmijët, të cilët pasoja e dhunës i shoqëron shumë shpesh përgjatë gjithë jetës. Rastet e fundit që u verifikuan vitin e kaluar në Kavajë e së fundi në Tiranë trondisin opinionin publik, por, si shumica e dukurive, shuhen në ndjeshmërinë e tyre pas pak kohe. Është pikërisht kjo kulturë e përshpejtimit në qasjen ndaj dukurive sociale e që e përqendron vëmendjen vetëm tek e tashmja që nuk lejon krijimin e një mendësie të re të qëndrueshmërisë së ndjeshmërisë ndaj dhunës seksuale kundër fëmijëve.Në pjesëmarrjen time si përfaqësues i MSHMS-së në forumin “Së bashku në luftën kundër dhunës seksuale ndaj fëmijëve”, organizuar nga Qendra Kombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Rinjve nga Dhuna Seksuale (ACA Shqipëri) e CRCA/ECPAT Shqipëri dhe moderuar nga aktivisti A. Hazizaj, pata rastin të paraqes punën e madhe që po bën MSHMS lidhur me këtë plagë që shoqëron përherë njerëzimin. Puna e Ministrisë, e cila i dha një hov të madh qasjes parandaluese ndaj këtij fenomeni, është përqendruar në tri piketa kryesore.
Së pari, nga pikëpamja ligjore në pasjen për herë të parë pas rënies së komunizmit të një ligji kuadër sektorial për të drejtat e fëmijëve (Ligji 18/2017 “Për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës”). Ky ligj ka krijuar premisat e pasjes së një vizioni global në qasjen ndaj të drejtave të fëmijëve, duke eliminuar fragmentizimin ligjor pararendës. Ky ligj po sjell ngadalë edhe një kulturë të re ligjore për mbrojtjen e fëmijëve, pasi ligji ka krijuar mundësinë e koordinimit të të gjithë aktorëve që mbështesin fëmijët kundër dhunës. Gjatë forumit u paraqitën edhe ide të reja nga përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë dhe të shoqërisë civile, të cilat kishin të bënin me mundësi të reja të përmirësimit të kuadrit ligjor për të ngushtuar sa më shumë diferencën e madhe midis rasteve të denoncuara dhe atyre që marrin dënimin e merituar për dhunën e ushtruar ndaj fëmijëve. Po ashtu u mirwprit edhe ideja e krijimit të një banke të dhënash me personat e dënuar për këtë lloj krimi, në mënyrë që persona të tillë ta kenë të pamundur ripërsëritjen e krimit në dëm të fëmijëve.
Së dyti, nga pikëpamja institucionale që konsiston në ngritjen e Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, si dhe strukturat lokale të mbrojtjes së fëmijëve të përbërë nga punonjës socialë (236 PMF pranë njësive të vetëqeverisjes vendore në të gjithë vendin). MSHMS ka ndërmarrë një sërë nismash në forcimin e rrjetit institucional për një luftë sa më të efektshme për mbrojtjen e fëmijëve. Kjo gjë ka ndikuar drejtpërsëdrejti në rritjen e bashkëpunimit mes institucioneve në identifikimin dhe menaxhimin e rasteve në nevojë për mbrojtje, në plotësimin e kuadrit ligjor dhe ngritjen e strukturave për mbrojtjen e fëmijëve. Reformat janë shoqëruar me hartimin e një serie dokumentesh politike, që kanë shërbyer si udhërrëfyes për të planifikuar më mirë veprimet tona për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve jo vetëm kundër dhunës seksuale, por edhe kundër shfrytëzimit ekonomik, në përpilimin sa më të detajuar të Planit Kombëtar të Veprimit për Mbrojtjen e Fëmijëve nga Shfrytëzimi Ekonomik, përfshirë edhe fëmijët në situatë rruge (2019-2021), që ka për qëllim garantimin e të drejtave dhe mbrojtjes së fëmijëve të shfrytëzuar ekonomikisht.
Së treti, ajo çka është më e rëndësishmja ka të bëjë me një orientim mjaft interesant të Ministres O. Manastirliu për krijimin e një kulture të re kundër dhunës ndaj fëmijëve. Janë mjaft të rëndësishme e të pazëvendësueshme detyrat politike e institucionale të shtetit e shoqërisë civile për mbrojtjen e fëmijëve, por po kaq i rëndësishëm është edhe krijimi i një kulture të mbrojtjes së fëmijëve. Më këtë drejtim shkojnë edhe gjithë këto politika dhe reforma institucionale që diskutohen dhe bëjnë të merren vendime të rëndësishme në Këshillin Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, ku janë anëtarë përveç përfaqësuesve të institucioneve publike, politikëbërës dhe zbatues të tyre, por dhe grupet e interesit dhe shoqëria civile. Së fundmi, këtij organi të lartë këshillimor i janë bashkuar dhe 10 fëmijë, të cilët do të marrin pjesë në çdo mbledhje të këtij Këshilli me statusin e vëzhguesit dhe kanë një mandat dy vjeçar. Ata janë zgjedhur nga Qeveritë Studentore dhe grupet e fëmijëve nga organizata të ndryshme.
E theksuam edhe në forum këtë pikë të rëndësishme dhe A. Hazizaj paraqiti edhe idenë e një lëvizjeje me karakter kulturor që të shkojë në këtë drejtim të kulturës së re për mbrojtjen e fëmijëve. Kjo veprimtari duhet të jetë e vazhdueshme dhe e qëndrueshme në kohë, në mënyrë që ndryshimi kulturor të depërtojë në çdo shtresë të shoqërisë, ku të kuptohet qartë se dinjiteti një fëmije është i barabartë me dinjitetin e çdo personi, tjetër pavarësisht nga mosha apo pozicioni social. Gjej rastin të falënderoj sërish Qendrën Kombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Rinjve nga Dhuna Seksuale (ACA Shqipëri) dhe CRCA/ECPAT Shqipëri e po ashtu gjithë të pranishmit që dhanë mendime të vyera mbi këtë argument kaq të ndjeshëm.
Vetëm së bashku mundemi.