Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj është deklaruar pas takimit që ka zhvilluar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Limaj ka thënë se me kryeministrin Rama kanë biseduar për zhvillimet e fundit politike në Kosovë. “Sot patëm kënaqësinë të mirëpresim në selinë e Nismës Socialdemokrate, kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, me bashkëpunëtorë, me të cilin diskutuam për zhvillimet aktuale, me theks të veçantë për mundësinë e koordinimit të veprimeve që duhet ndërmarrim si spektër politik në Kosovë pas situatës së krijuar në vendin tonë”, ka shkruar ai në Facebook.

Më tej, Limaj ka thënë se drejtuesit e institucioneve në Kosovë duhet të tregojnë lidership të vërtetë në këto rrethana në të cilat po kalon vendi.
“Është përgjegjësi e udhëheqësve të forcave politike dhe institucioneve shtetërorë të Kosovës që t’i lemë anash dallimet dhe të veprojmë me gjakftohtësi të madhe në interes të vendit.
Kosova nuk guxon të humbas orientimin e saj dhe duhet t’i përgjigjemi me kujdes situatës, si dhe në të njëjtën kohë jam i bindur se ne do të dalim me të fortë nga kjo situatë”, thotë ai.

Kreu i Nismës bën të ditur se kryeministrit Rama është shprehur i gatshëm të ofroi gjithë ndihmën e shtetit shqiptar në çdo proces nëpër të cilat mund të kaloj Kosova.