Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, i bëri thirrje opozitës parlamentare dhe asaj jashtëparlamentare të hapin dritën jeshile për votën e emigrantëve dhe e gjithë politika të nisë me procedurat. I ftuar në emisionin “Real Story”, në News24, ministri Majko theksoi se nëse i refuzohet e drejta e votës diasporës, kjo tregon frikën e elitës politike, ndërsa shtoi se kjo gjë do të ndodhë, pasi ndryshe nuk do të ishte në atë zyrë.
“Vota e tyre do të bëhet me postë, por edhe me shprehje vullneti. Do ishte non sens t’iu dërgohej të gjithëve me votë, por do të ishte edhe shpenzim. Shprehja në vullnet do të thotë që ata që janë jashtë do të shprehin dëshirën për të votuar, dhe më pas do iu dërgohet posta. Mendoj se ne kemi një gjë, që jemi gjithmonë të prirur të shohim anën negative të çdo gjëje. Çdo sistem ka të mirat dhe të metat e veta. Edhe votimi i shtetasve tanë jashtë me zarf është kështu, por ne duhet të diskutojmë procedurat. Ajo që kërkohet me opozitën jashtëparlamentare dhe atë parlamentare është që për këtë çështje të hapin dritën jeshile dhe të bëjmë procedurat. Zarfi mbetet alternativa e vetme. Nëse i refuzohet e drejta e votës ‘ushtrisë’ e diasporës, kjo tregon frikën e elitës politike. Nëse nuk do të sigurohet vota e tyre, unë nuk do të isha në atë zyrë, s’do kishte një ministri të tillë”, u shpreh Majko.