Pas një serie të gjatë negociatash dhe ndërhyrjes të fuqishme nga faktori ndërkombëtar opozita e maxhoranca arritën marrëveshjen për Reformën Zgjedhore. Krerët e opozitës janë shprehur të kënaqur nga kjo marrëveshje e cila sipas tyre u ofron garancitë e kërkuara për të hyrë në zgjedhjet e përgjithshme të 2021, pavarësisht se kushti i tyre parësor ai i largimit të kryeministrit Rama dhe krijimi i një qeveri teknike nuk u plotësua. Një “déjà vu” e 2017.

Edhe atëhere opozita kishte si kusht parësor largimin e Ramës nga posti i kryeministrit, por në fund u fut në zgjedhjet e përgjithshme me numrin 1 të PS-së në krye të qeverisë. Në prag të zgjedhje të përgjithshme të 2017 opozita me moton “Me Ramën nuk ka zgjedhje të lira” bojkotoi Kuvendin dhe u ngujua në bulevard para kryeministrisë në të ashtëquajturën “Çadra e lirisë”. Pas shumë negociatash me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve pas takimit Rama-Basha më 17 maj u arrit marrëveshja.