Ai do të jetë 37 vjec për 15 ditë, një moshë në të cilën do të mund të fillojë të mendojë të tërhiqet nga futbolli. Por, kjo nuk vlen për Felipe Melo, i lidhur me Palmeiras me një kontratë deri në dhjetor 2021. Ai thotë se ka akoma shumë për të dhënë në mesfushë. Pa angazhimet e futbollit të luajtur prej Covid-19, për brazilian është një mundësi të kujtojë të kaluarën dhe të hipotezojë çfarë mund të kishte ndodhur, nëse situatat do të kishin shkuar në një drejtim specifik.

Në intervistën e dhënë për “As”, ai zbuloi se transferimi te Real Madridi më 2010 ishte kryer, pothuajse. Po kështu, ai kujton lëvizjen nga Fiorentina te Juventusi në vitin 2009, edhe pse preferenca e Melo nuk ishin rivalët historikë të Interit. Pastaj, ai u “martua” me zikaltrit në vitin 2015, me mentorin Roberto Mancini në pankinë:

“Të luash në Madrid është ëndrra e të gjithëve. Kur një klub si Reali apo Barcelona ju thërret, duhet të braktisni gjithçka dhe të shkoni atje. Do të dëshiroja t’i bashkohesha Realit, por unë luajta tek Interi, që më donte prej kohës sime te Fiorentina, Asokohe, unë preferoja zikaltrit, por përfundova te Juventusi, klub i cili pagoi klauzolën. Ende iu kam shumë borxhe bardhezinjve, të cilët i konsideroj ndër pesë skuadrat më të mira në botë”.