Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “me ndërtimin e HEC-it të Skavicës dhe Rrugës së Arbrit, verilindja e vendit hyn në një fazë tërësisht të re në aspektin ekonomik e social”.
“HEC-et janë punëdhënës të rëndësishëm në Shqipëri. Skavica do të jetë punëdhënës i madh në fazën e ndërtimit dhe do të sjell shumë punësim pas kësaj si rezultat i gjithë zhvillimit komplementar që do të ndodh në zonë, ku patjetër do të ndërhyhet edhe në infrastrukturë dhe në aspektin e administrimit urban të territorit”, tha Rama. Kryeministri u shpreh se bëhet fjalë për qindra vende pune direkte dhe mijëra indirekte të krijuara nga zinxhiri që do të vihet në punë për të mundësuar këtë vepër”.
“I kombinuar bashkë me avantazhet që do të sjellë në ekonomi Rruga e Arbrit, verilindja e vendit hyn në një epokë të re. Aeroporti i Kukësit është një komponent plus. Ajo që vjen me krijimin e gjithë zonës së re liqenore dhe funksionimin e gjithë kaskadës edhe si një rrugë apo si një shteg turistik bën që edhe turizmi do të impaktohet në mënyrë të rëndësishme”, tha Rama.
Ai solli në vëmendje transformimin fantastik të mjedisit dhe peizazhit në anën juglindore të Tiranës nga HEC-i i Devollit.
“Jemi po në të njëjtat kushte të një transformimi në funksion të turizmit, ekonomisë e lëvizjes. Rruga Arbrit dhe Skavica do të fuqizojnë shumë agroturizmin do të kemi zhvillim të rëndësishëm në gjithë këtë jastëk të gjelbër. Përmes Rrugës së Arbrit dhe me Skavicën shtohet në mënyrë të ndjeshme potenciali për një hartë të integruar infrastrukturore, turistike e agroturistike dhe sigurisht i jepet fund keqtrajtimit ekstrem të rezervave të energjisë së pastër në Shqipëri, si rezultat i një ecje në mënyrë të improvizuar dhe një copëzimi shumë dëmtues të këtij potenciali me HEC-e të vogla që në shumë raste kanë funksionuar si shushunja që thithin gjakun e organizmit të vendit duke lënë shpeshherë toka të tëra pa burimin e nevojshëm ujor, pa punuar tokën dhe duke bërë dëme të mëdha nga pikëpamja e ekosistemit”, tha Rama.