Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se “financimi që qeveria do të sigurojë nga Eurobondi do të shërbejë për të vijuar financimin e reformave, projekteve prioritare dhe aktiviteteve rifinancuese të vendit”.
Pas miratimit në seancë plenare të ligjit për “Eurobondin” që do të emetohet nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Denaj tha se “përgjatë viteve, emetimet e qeverisë shqiptare kanë qenë gjithmonë me kosto më të ulëta, si rrjedhojë e kredibilitetit të rritur të Shqipërisë në sytë e investitorëve”.
“Emetimi i Eurobondit në vitin 2020 është parashikuar në strategjinë afatmesme të menaxhimit të borxhit, miratuar nga qeveria shqiptare dhe prezantuar në Parlament edhe përgjatë diskutimeve për buxhetin e vitit 2020”, tha Denaj.
Ajo tha se “së bashku me bankat prestigjioze ndërkombëtare, që na mbështesin në këtë proces synojmë një shpallje të shpejtë të Eurobondit të Shqipërisë, në linjë edhe me politikat monetare të Bankës së Shqipërisë dhe me efekt pozitiv në rezervave valutore dhe stabilitetin makroekonomik të vendit në afatin e shkurtër e të mesëm”.