Ministrja e Financave Anila Denaj ka dhënë një lajm mjaft pozitiv për bizneset e vogla. Me vendim të Ministrisë së Financave përjashtohen bizneset e vogla nga pagesa e tatimit fitimit dhe të TVSH-së. Për 10 vitet e ardhshme bizneset me xhiro deri në 14 milionë lekë nuk do të paguajnë tatim-fitim, ndërsa sa i takon TVSH-së pragu i ri do të jetë 10 milionë lekë.

Fillimisht kryeministri premtoi heqje totale për bizneset me xhiro deri në 14 milionë lekë, por ekspertët ofruan një tjetër zgjidhje. Ministrja Denaj tha se vendimi hyn në fuqi këtë vit.

“Biznesi i vogël për 10 vitet e ardhshme nuk do të ketë tatim fitimi dhe pragu i TVSH është rritur nga 2 milionë në 10 milionë lekë xhiro në vit. Pra biznesi i vogël duke filluar nga ky vit nuk do të mund të paguajë asgjë për pushtetin qendror”, shpjegoi Denaj.

Teksa zhvilloi një takim me kryetarin e Bashkisë me në fokus problematikat e biznesit, ministrja foli edhe për amnistinë fiskale, si një mundësi e bizneseve për të hequr bilancet e dyfishta dhe për të formalizuar aktivitetin e tyre.

Jashtë vëmendjes nuk ka qenë as situata e pandemisë, ku ministrja tha se nuk do të ketë një paketë të tretë pagash por po shikohen mundësitë për ri-punësimin e qytetarëve dhe dhënien e granteve për bizneset.