Në një kohë që rritja e rasteve me të infektuar vijon të jetë e lartë ditë pas dite dhe situata në Spitalin Infektiv paraqitet serioze, Ministria e Shëndetësisë i bën thirrje të gjithë qytetarëve që ikin me pushime të kenë kujdes, të ruajnë distancën sociale, gjithashtu në vendet ku pushojnë, ashensorët. Po ashtu thirrje për kujdes u bëhet edhe sipërmarrjeve turistike të ‘zbatohen me rigorozitet masat e pastrimit dhe dezinfektimit në të gjitha zonat bufe, bare, restorante, kuzhina në të gjitha strukturat akomoduese’.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet çdo sipërmarrje turistike dhe të gjithe pushuesve të zbatojnë protokollin e masave anti-Covid19 përgjatë gjithë sezonit.
Stafi i shërbimit, në kontaktet me pushuesit / vizitorët duhet të mbajë në mënyrë të domosdoshme maskat mbrojtëse. Në strukturat akomoduese duhet të ruhet distancimi fizik jo më pak se 1.5 metër.
Të zbatohen me rigorozitet masat e pastrimit dhe dezinfektimit në të gjitha zonat bufe, bare, restorante, kuzhina në të gjitha strukturat akomoduese. Të tregohet kujdes në përdormin e ashensorit në strukturat akomoduese që e disponojnë atë, duke respektuar masat e distancimit dhe të higjienës.
Të kryhet dezinfektimi i krevateve të plazhit, shërbimeve higjienike dhe aksesorëve të ndryshëm në mënyrë periodike. Të respektohet hapësira midis çadrave dhe ndenjëseve të pushuesve në distancë jo më pak se 3.5 m dhe të evitohen grumbullimet shoqërore”, bën me dije Ministria.