Kanali i dedikuar për nxënësit “RTSH Shkollë” do të vijojë të transmetojë një program edhe më të pasur mësimor, si dhe materiale të tjera të bazuara në lëndë të ndryshme mësimore, me tema të dedikuara.

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR ka nënshkruar një marrëveshje me Radio Televizionin Shqiptar (RTSH) në lidhje me kanalin e dedikuar të mësimdhënies, për prodhimin, përgatitjen dhe transmetimin e programeve në fushën e arsimit parauniversitar gjatë gjithë kohës, por sidomos në rastet e gjendjes së jashtëzakonshme apo situatave emergjente.

Në një status së saj në rrjetin social, ministrja Besa Shahini tha se RTSH Shkollë u krijua në një kohë rekord, brenda 48 orësh, kur Shqipëria u përfshi nga pandemia e Koronavirusit.

“I gjithë sistemi arsimor kaloi shpejt dhe efektivisht në televizion, pastaj edhe online, në mënyrë që nxënësit të mund të ndiqnin mësimin edhe në kushte shtëpie. Nga kjo përgjigje e shpejtë që i dhamë kërkesës e nevojës për arsim në kohë pandemie, RTSH ka ndërtuar një kanal të tërë e të posaçëm dedikuar vetëm për arsimin, i cili do të rrisë edhe cilësinë e arsimit shqiptar”- nënvizon ministrja Shahini.

Ajo shton se e gjithë përmbajtja mësimore e zhvilluar në shkollë do të mbulohet me përvojën dhe përkushtimin e mësuesve më të mirë që ka sistemi arsimor në Shqipëri.