Balli Kombëtar Demokrat tërhiqet nga ndryshimet në Kushtetutë për t’i hapur rrugë ndryshimit të sistemit zgjedhor që kërkon opozita parlamentare. Dy deputetët e BKD, Artur Roshi dhe Besnik Troplini kanë tërhequr firmat e tyre nga kërkesa e deputetëve të opozitës parlamentare për ndryshimet në Kushtetutë.
Deputeti Artur Roshi ka shpjeguar vendimin me anë të një statusi në “Facebook”, ku shprehet ndër të tjera se ndërhyrjet e këqija në Kushtetutë bëjnë dëme të pariparueshme për shoqërinë.
Megjithëse i del në mbrojtje kërkesës së opozitës parlamentare për ndryshimet në Kushtetutë duke e quajtur të sinqertë, Roshi thotë se anonçimi në media se do ndërhyhet në Kushtetutë për të ndaluar koalicionet parazgjedhore dhe vendosja e pragut 5% është shqetësuese sepse tregon se dikush është i interesuar.
Sipas tij, këtë interes mund ta shfaqi ai që sheh se i afrohet mundësisë dhe fuqisë së kartonit për ta bërë këtë.
POSTIMI I ROSHIT
Pse Balli Kombëtar Demokrat tërheq firmat nga Kërkesa për ndërhyrje në Kushtetutë?
Ndërhyrja në Kushtetutë për hapjen e listave është një inisiativë e sinqertë e Opozitës Parlamentare, por që parashoh se do të ketë një përballje me pandershmërinë e pushtetit.
Të premten 29 deputetë të Opozitës Parlamentare depozituan një kërkesë për ndërhyrjen në Kushtetutë në nenet 64 dhe 68 me qëllim hapjen e listave.
Në diskutimet e mia me kolegët tentova që të bënim një kërkesë të qartë, megjithatë firmosa në një marrëveshje xhentëllmenësh se do të qëndrohej në hapjen e listave, që do të thotë se duhet ndryshuar Neni 64 i Kushtetutës dhe praragrafi i dytë i Nenit 68 “Renditja e Kanditateve per deputet ne listat shume emerore nuk mund te ndryshohet pas paraqitjes se listes”.
Anonçimi në media se do ndërhyhet në Kushtetutë për të ndaluar koalicionet parazgjedhore dhe vendosja e pragut 5% është shqetësuese sepse tregon se dikush është i interesuar.
Këtë interes mund ta shfaqi ai që sheh se i afrohet mundësisë dhe fuqisë së kartonit për ta bërë këtë.
Kjo lloj ndërhyrjeje, do të thotë ruajtjen e statukuosë, ruajtjen e sistemit bipolar politik që është sot, ruajtjen e sistemit të pengut nga kontrolli absolut i tregut politik.
Pra Ajo që ndryshon është vetëm mënyra se si arrihen këto. Thënë më qartë, ndryshojnë formulën por ruajnë kapjen e sistemit që kanë sot.
Nevoja e vendit kërkon një demokraci të fortë e cila nuk mund të bëhet pa një pluripartitizëm,i cili është i pashmangshëm nëse vota e qytetarëve ështē e lirë dhe kalon nëpër një formulë zgjedhore që reflekton një përthyerje të papërfillshme në raport me vullnetin e tyre.
Liria e votës, kërkon lirinë e besimit qytetar i cili garantohet nga një formulë zgjedhore që nuk lejojon vjedhjen e institucionalizuar të votës dhe konkretisht një sistem propocional kombëtar pa prag të poshtëm.
Liria e votës kërkon procedurën e ruajtjes,indetifikimin biometrik, votimin dhe numurimin elektronik, largimin e faktorit njrëzor sa të mundemi nga sistemi i numurimit,depolitizimin e komisioneve të zvogëluar me ekonomistët e bankave dhe avokatë.
Financimi i partive me parimin “një votë kushton X-Lekë”, bën që të ruhet konkurueshmëria në tregun politik,kundrejt finacimit të sotëm që financohen vetëm dy, tre apo dhe katër parti.
Listat e hapura na çojnë tek kandidatë me integritet, por që pa lirinë e votës të çojnë sërish tek horrat. Interesi i Partive të vogla shkon në përpjestim të drejtë me rritjen e demokracisë, për rrjedhojë me interesin e shqiptarëve.
Mbajtja me çdo kusht në treg vetëm dy parti, prodhon këtë që kemi sot autokracinë që stimulohet nga pushteti i fortë që i jep ky kod zgjedhor që kemi.
Ndëryrjet e këqia në Kushtetutë bëjnë dëme të pariparueshme për shoqërinë. Ato mund të atrofizojnë demokracinë si elementi bazik i cilësisë së jetës.
Në këtë këndshikim ndjehem i pasigurt se si do të preket Kushtetuta,prandaj dy firmat e deputetëve të Ballit Kombëtar Demokrat, e imja dhe e z.Besnik Troplini do të tërheqiqen nga lista e 29 deputetëve të Opozitës Parlamentare për ndërhyrjen në Kushtetutë.