Bashkimi Europian po kalon një krizë të keqe. Nëse nuk përballet me problemet, do t’i përkeqësojë ato edhe më tepër

Shtatëdhjetë vjet më parë, ministri i Jashtëm francez, Robert Schuman, propozoi një “komunitet europian të qymyrit dhe çelikut”. Nisur nga kjo marrëveshje modeste mbi dy mallra, gjashtë vende të rrënuara nga lufta, krijuan një treg të përbashkët që evoluoi në Bashkimin Europian, shkruan The Economist.

Që atëherë, udhëtimi drejt integrimit ka qenë me pengesa, por ka pasur gjithnjë një sens drejtimi. Udhëheqësit kombëtarë vinin e iknin, Muri i Berlinit u ngrit dhe ra, uraganet ekonomike goditën dhe u shuan. Gjatë gjithë këtyre luhatjeve, BE-ja vazhdoi rrugën përpara. Ajo u thellua, duke ndërtuar tregun më të madh të përbashkët në botë, duke lejuar lëvizjen e lirë ndërkufitare të njerëzve dhe duke krijuar një monedhë të përbashkët.

Gjithashtu bashkimi u zgjerua. Gjashtë vendeve themeluese iu bashkuan 11 të tjerë, përfshirë edhe shtete që kishin vuajtur për dekada nën regjimin komunist. Bashkimi Europian forcoi paqen dhe përhapi prosperitetin. Sot, Europa është një fener i vlerave liberale dhe një model i një lloji më të butë kapitalizmi.

Por në të njëjtën kohë, BE-ja e ka humbur rrugën e vet. Pandemia në Europë nuk është thjesht një krizë ekonomike si kudo tjetër në botë, por po shndërrohet shpejt edhe në një krizë politike dhe kushtetuese. Në parim, kjo mund të zgjidhet, por anëtarët e BE-së nuk mund të pajtohen mbi atë që nevojitet për ta bërë bashkimin e tyre më të qëndrueshëm dhe as për ndërmarrjen e reformave. Tani, më shumë se kurrë, humbja e kësaj mundësie është tragjike, në një kohë kur Amerika dhe Kina po përleshen mes tyre.

Anëtarësimi në BE duhet ta bëjë një vend të ndihet më i sigurt në një botë të rrezikshme. Përkundrazi, pandemia po teston lidhjet e anëtarësimit, ashtu siç bëri kriza financiare në vitet 2007-2009. Një shembull është tregu i përbashkët. Ai drejtohet nga rregulla të rrepta që kufizojnë subvencionet, por ato janë pezulluar teksa qeveritë kanë shpenzuar 2 trilionë euro (2.2 trilionë dollarë) për të mbrojtur bizneset nga falimentimi. Gjysma e kësaj shume u shpenzua vetëm në Gjermani: çka është një problem për një prodhues me seli në një shtet që nuk mund të jetë kaq bujar, por që duhet të pranojë mallra të prodhuara në Gjermani.

Një shembull tjetër është monedha e përbashkët. Teksa vendet përpiqen të zbusin efektet e karantinës, borxhet po rriten ndjeshëm. Për shkak se qeveritë në Eurozonë huazojnë në një monedhë të përbashkët, por duhet ta financojnë vetë, këto borxhe mund të rriten në nivele të paqëndrueshme. Ky problem është shumë i rëndë në Itali, e cila ndodhej në telashe edhe para përhapjes së COVID-19 dhe kishte një borxh publik bruto prej 2.4 trilionë eurosh, sa 135% e PBB-së. Personaliteti më i njohur euroskeptik në Itali, Matteo Salvini, po e akuzon pa pushim BE-në se po bën shumë pak për të ndihmuar vendin; partia e tij madje mund ta shfrytëzojë krizën për të ardhur në pushtet, ku do të nxiste edhe më tepër zemërim dhe përçarje me Brukselin e largët.

Një shembull i tretë është statusi i ligjit të BE-së. Në fillim të këtij muaji, Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë, vuri në pikëpyetje faktin nëse Gjykata Europiane e Drejtësisë (GJED) duhej të kishte vendosur se Banka Qendrore Europiane mund të mbështeste euron, duke blerë borxhe. Nga ana tjetër, Polonia ka kundërshtuar përparësinë e GJED-së ndaj gjykatës së lartë. BE-ja mbështetet në ligj. Nëse streset e pandemisë dobësojnë themelet e GJED-së, i gjithë bashkimi do të tronditet.

Duhet vizion Të gjitha këto probleme mund të zgjidhen me vizion, kompromis dhe reformë. Në të vërtetë, para përhapjes së pandemisë, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, paralajmëroi se BE-ja duhej të forconte veten përballë një bote më të ashpër. Por ide të tilla pengohen nga pikëpamjet e ndryshme që kanë vendet mbi atë se çfarë duhet të jetë BE-ja.

Veriu më i pasur e urren idenë e një “bashkimi transfertash” që subvencionon jugun në nevojë – dhe e urren edhe më shumë idenë e bashkimit të borxheve me anëtarët më të varfër. Anëtarët gjithashtu nuk mund të bien dakord se çfarë të bëjnë për erozionin e demokracisë dhe sundimit të ligjit në Hungari dhe Poloni. Edhe para se të shënohej vdekja e parë nga COVID-19, ata kishin vështirësi në krijimin e politikave të përbashkëta në lidhje me mbrojtjen, Rusinë, emigracionin e shumë të tjera.

Është dëmtuar edhe mekanizmi i reformës. Që nga dita e Schuman-it, BE-ja është rritur duke ndryshuar vazhdimisht traktatet që e qeverisin. Por udhëheqësit e BE-së i tremben një ndryshimi traktati që kur plani për një kushtetutë të re u hodh poshtë nga votuesit francezë dhe holandezë në vitin 2005. Udhëheqësit nuk kanë guxuar të bëjnë një ndryshim të konsiderueshëm, që nga viti 2007.

Disa udhëheqës të vendeve të Europës së Veriut e pranojnë se ekziston një problem. Në muajt e ardhshëm ka të ngjarë që ata të bien dakord për një rritje të njëanshme të buxhetit shtatëvjeçar të BE-së, por afatet janë në diskutim – vendet jugore kërkojnë nga 1 deri në 5 trilionë euro dhe duan grante, jo kredi. Është bërë gjithashtu një propozim për të emetuar borxhin e përbashkët si gjest simbolik, por edhe kjo është e diskutueshme.

Që BE të lulëzojë, duhet të jetë shumë më ambicioze se sa duan vendet veriore. Së pari, që të mos ngecë në vend, ajo duhet të përshtatet, dhe kjo nënkupton heqjen e tabuve kundër ndryshimit të traktatit. Ndryshimi i suksesshëm i traktatit nënkupton një njohje më të gjerë të faktit se vende të ndryshme duan gjëra të ndryshme nga bashkimi dhe se një “Europë me shumë shpejtësi” mund të jetë më elastike sesa aspiratat e parealizuara të ditëve të sotme. Kjo, nga ana tjetër, kërkon që BE-ja të përfundojë projekte si euro që janë të ndjeshme ndaj goditjeve sepse ato nuk janë çuar deri në fund.

Pesimistët shpesh kanë parashikuar fundin e BE-së ose të euros, dhe gjithmonë kanë qenë të gabuar në parashikimet e tyre. Përpjekjet e vështira për të ecur përpara mund të vazhdojnë për një kohë të gjatë – sidomos tani që Britania ka treguar se sa i dhimbshëm dhe i kushtueshëm do të ishte divorci. Mbi të gjitha, sistemet politike gjykohen nga rezultatet e tyre. Dështimi në reformimin e traktateve do të dëmtonte GJED-në dhe sundimin e ligjit; subvencionet gjermane rrezikojnë të dëmtojnë tregun e përbashkët; dhe rënia ekonomike do të helmojë euron.

Vendimmarrje largpamëse Për sa kohë që BE-ja mbetet një kanal për përhapjen e krizave, rreziku i shembjes do të jetë i lartë. Për të forcuar lidhjen, udhëheqësit e saj duhet të reflektojnë në mënyrë largpamëse. Në qershor, bëhen 230 vjet nga kompromisi i vitit 1790, kur Alexander Hamilton bindi Thomas Jefferson dhe James Madison që të lejojnë qeverinë e re të Shteteve të Bashkuara të marrë përsipër borxhin e 13 shteteve individuale.

Europa nuk ka nevojë të shkojë kaq larg, dhe një Hamilton i ditëve të sotme nuk do të kishte mjete tërheqëse për të bindur shtetet e pasura (në vitin 1790 marrëveshja e vendosi kryeqytetin e ri të Amerikës në Jug). Por ekziston një shtysë: nëse anëtarët e paqëndrueshëm të Europës nuk marrin ndihmë, euro dhe tregu i përbashkët do të marrin fund. Udhëheqësit europianë që po negociojnë aktualisht përmes videokonferencave duhet të tregohen të guximshëm. Transferta më të mëdha dhe përvetësime të konsiderueshme të borxhit do të ishin të vështira, por njëkohësisht do të ishin një çmim që ia vlen barra qiranë për të shmangur katastrofën dhe për të rivendosur BE-në në rrugën drejt stabilitetit.