Neymar i përmbahet planit që aktivizoi sezonin e kaluar, kur vendosi një pakt të pashkruar në hotel “Arts” të Barcelonës me katalanasit. Pra, ajo që dështoi verën e vitit 2019 duhet tentuar kësaj here, kur të hapet merkatoja. Klubi i Barçës dhe përfaqësuesit e lojtarit kanë rënë dakord për kushtet e kontratës që atë kohë, ndërsa tani do të provojnë të zhbllokojnë situatën me PSG. Sipas “Mundo Deportivo”, Neymar ka insistuar te mjedisi i tij më i afërt në Paris që të kthehet te Blaugrana-t, aty ku ishte i lumtur.
Megjithatë, të gjitha variablat sugjerojnë që kthimi i brazilianit në “Camp Nou” është utopik. Para së gjithash, për shkak se situata e përgjithshme ekonomike pas pandemisë së Covid-19 është kritike. Barça e ka veçanërisht komplekse situatën për t’u marrë me transferimin dhe pagën e një ylli si Neymar. Për më tepër, PSG kurrë nuk ka dhënë dritën jeshile për largimin e 28-vjecarit. Pra, një gjë është ëndrra e Neymar, një tjetër është realiteti i ashpër. Vetëm një mrekulli do ta dërgonte brazilianin te Barcelona.
Të gjitha gjërat duhet të rreshtohen në këtë drejtim: PSG t’i hapë derën e largimit, të pranojë ofertën e Barçës dhe vetë Neymar të ulë në mënyrë thelbësore rrogën e tij të konsiderueshme. Sigurisht, askush nuk dyshon se, pasi tentoi verën e kaluar, kur pavarësisht se e mohoi në fillim të merkatos, u përpoq ta nënshkruajë me të, Batomeu do të bëjë një përpjekje për t’u njohur me situatën, të bëjë llogaritë e mundësive reale të kthimit të Neymar në “Camp Nou”. Sidoqoftë, ribashkimi i Neymar dhe Barçës, sot për sot duket një utopi.