Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur deputetes Rudina Hajdari pasi ajo i kujtoi premtimet nga foltorja e parlamentit për lista të hapura. Kryeministri i kujtoi Hajdarit se ajo ka firmosur në selinë e ambasadës së SHBA një marrëveshje, si pjesë e këshillit Politikë por edhe se kohë më parë kur opozita jashtëparlamentare ishte në rrugë i ftoi për të adresuar rekomandimet e OSBE-ODIHR për reformën zgjedhore.
“Keni firmosur në selinë e një ambasade mike. Por natyrisht që përderisa ju ju referuat atyre që unë kam thënë në këtë sallë kohë më parë dhe po më kërkoni mua llogari për shkallët. Së pari, ajo që unë kam thënë këtu znj. Hajdari kohë më parë kur opozita jashtëparlamentare ishte rrugëve dhe kërcënonte për revolucionin permanent ka qenë të mos humbnim kohë, të uleshim në tavolinë, ne dhe ju dhe të diskutonim adresimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR për të mbyllur detyrimin që buron dhe nga ajo që ka lënë të shkruar Këshilli Europian dhe pastaj kam thënë që të diskutojmë në një moment të dytë temën që ju diskutuar. Ju asnjëherë nuk më dëgjuat.
Se nëse do të ishim ulur qysh atëherë kur ata të tjerët e kishin ndarë mendjen që do ta merrnin pushtetin me dhunë, sot do ishim duke bërë biseda të tjera jo këtë bisedë. Eksperienca bën të vetën dhe kur eksperienca mungon mbrapa vjen dhe fatura. ka një gjë në politikë që nuk mund të kapërcehet që është koha. Ju e kapërcyet atë moment kohor duke u mjaftuar me rënien e daulleve, lista të hapura dhe pa bërë asgjë tjetër dhe pa marrë në konsideratë që PS nuk është fondacioni popullit.
Ju kujtohet fondacioni “Populli”, gjenerali Rrapush. PS është një forcë politike që ka dhe ajo interesat e veta dhe si forca më e madhe politike këto interesa më të përputhura kombëtare se ju sepse dhe përgjegjësinë e ka më të madhe. Kjo temë është në zhvillim e sipër dhe më vjen keq sepse e shoh dhe në sjelljen publike të atyre që janë jashtë që kujtojnë se mund ta kalojnë lumin mbi kalin mbrapsht. Nga një anë me kushte pas kushtesh dhe nga ana tjetër duke dalë për ditë duke na sharë e akuzuar. Kjo është një nga shprehjet e kulturës politike”, deklaroi Rama.