Parku Rinia në të cilën u rritën 3 breza brenda një familje nga gjyshe Afërdita deri tek mbesa e saj Analaura “Na pëlqen të ndjehemi ndonjëherë fëmijë, ndonëse jemi të rritur”
Për gjyshe Afërditën, paraditja e sotme ishte mjaft e veçantë. Jo vetëm se mbesa e saj Analaura mezi po e priste, por edhe për faktin se do të rikthehej për herë të parë te Parku Rinia, i rinovuar nga Bashkia e Tiranës, një hapësirë kjo dedikuar tërësisht fëmijëve.Mbesa kishte ditë që mezi e priste. Madje kishte menduar deri dhe si do të vishej. Por gjyshe Afërdita kishte edhe një ‘sekret’ të vogël për mbesën, të cilin do t’ia rrëfente te Parku.
Por cila ishte e ‘fshehta’ e gjyshe Afërditës? Me mjaft emocion ajo tregon se pikërisht në këtë Park ka nisur dhe fëmijëria e saj tek e sillnin prindërit dhe gjyshërit. Më pas vinte për të sjellë fëmijët e saj, ndërsa tani sjell mbesën.
“Ky park tani është një magji e vërtetë. Plot ngjyra, plot lodra. Fëmijë vrapojnë pa fund. Në këtë Park ka nisur edhe fëmijëria ime. Atëherë ishte ndryshe. Një hapësirë dedikuar kryesisht luleve dhe pemëve. Më pas u ndryshua duke u shtuar një shatërvan dhe duke u bërë hapësirë e sheshtë. Kënaqesha kur sillja fëmijët. Jam trishtuar pa masë kur Parku Rinia u shkatërrua nga ndërtimet në vitet 93- 96. Kam qarë pa fund. Kishin dhunuar një nga pjesët më të bukura të jetës sime si fëmi dhe si nënë. Kur e shikoj tani kaq të bukur, fëmijë të qeshur, nëna dhe baballarë që rendin e bëhen si fëmijë, ndjehem vërtetë shumë mirë. Sot rris mbesën aty ku nisa të rritem vetë”, thotë gjyshe Afërdita. Ndërsa për Analaurën, kjo është vërtetë një ditë shumë e bukur. “E mezi prisja. Çdo gjë më duket shumë bukur. Po zë plot shoqe dhe shokë të rinj. Gjyshe Afërdita dhe mami im më kanë bërë sot një dhuratë vërtetë të bukur duke më sjellë te Parku”, thotë ajo.
Por dhe mami Vjola e cila ka sjellë djalin e saj Gregun në Park, shprehet se është mirë që hapësira e Parkut është menaxhuar për tu përshtatur për të gjitha grupmoshat. “Vendosja e lodrave është një mendim i zgjuar. Një motiv më shumë për fëmijët, prindërit për të ardhur në Park, sepse nuk argëtohen vetëm fëmijët, por deri diku edhe ne. Na pëlqen të ndjehemi ndonjëherë fëmijë, ndonëse jemi të rritur’, shprehet ajo.Ndërsa gjysh Beqiri ka ardhur që nga Kodër- Kamza me të gjithë mbesën e tij, për të shijuar rinovimin e Parkut. Sipas tij, është diçka shumë e bukur që fëmijët tashmë kanë më shumë hapësira për të luajtur, por edhe kopshte e çerdhe shumë më të mira përsa i përket kushteve.
“Më pëlqen që njerëzit janë të gjallë. Kemi kaluar javë të vështira me koronavirusin. Është diçka shumë e mirë kur sheh fytyra të qeshura. Mbesën nuk e ndjek dot me vrap, por e ndjek me sy dhe e shoh që ambienti është i sigurtë. Ka pastrues të bashkisë që mbajnë ambientin pastër, policë bashkiake që të orientojnë. S’ka më mirë. Më duket si një copëz e shkëputur nga fushat plot bar të Fushë- Arrëzit.”, komenton Beqiri. Tek endesh nëpër Park shikon se ai tashmë është vërtetë një oaz mrekullie jo vetëm për fëmijët, por për të gjitha grupmoshat. Dhe në mend të vijnë fjalët e Analaurës “Tirana tani është e bukur, siç janë të bukura edhe përrallat e gjyshe Afërditës”.