Ka përfunduar mbrëmë afati i aplikimeve për fermerët në Skemën Kombëtare të Mbështetjes. Janë plot 8386 fermerë që kanë aplikuar për subvencione përmes e-Albania, një shifër shumë më e lartë kjo, krahasuar me shifrat e viteve të kaluara kur aplikimi bëhej nëpër agropika dhe jo online.
Për këtë ka shkruar edhe drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Linda Karçanaj, ‘truri’ i e-Albanias, e cila me entuziazëm thotë se këto shifra janë dëshmi e faktit që platforma përdoret nga kushdo, në çdo cep të Shqipërisë.
“Kemi digjitalizuar shumë shërbime por, ky shërbim që u erdhi në ndihmë fermerëve nga çdo cep i vendit, ishte një sfidë më vete. Tani që procesi mbaroi me sukses, nuk mund ta fsheh entuziazmin e shifrave të aplikimeve në Skemën Kombëtare të Mbështetjes. Së pari sepse më tregojnë sa kohë, lodhje, ecejake, stres e letra poshtë e përpjetë u kemi kursyer njerëzve punëtorë të këtij vendi, dhe së dyti, sepse këto shifra janë dëshmi e pastër e faktit qe e-Albania aksesohet nga kushdo me lehtësinë më të madhe. Shikoni pak këtë grafik! Në vitin 2018 dhe në vitin 2019, kur aplikimet kryheshin nëpër Agropika, kemi patur më pak aplikime sesa me platformën e-Albania që vendosi shifrën rekord me 8,386 aplikime”, shkruan Karçanaj . “Kjo platformë është tashmë e të gjithëve dhe ne nuk do lodhemi asnjë sekondë për t’ua bërë jetën më të lehtë përmes teknologjisë. Radhët dhe letrat nëpër duar kanë marrë fund! Të gjitha i bën platforma e-Albania, pa radhë, pa kosto”, përfundon drejtoresha.