Rastet e koronavirusit nuk po shtohen në mbarë botën vetëm pse është rritur numri i testimeve thotë OBSH. “Ne nuk besojmë se ky është një fenomen i lidhur me testimet. Është e qartë që ka shtim të shifrave, sepse e dëshmojnë shtrimet ne spital. Këtu nuk ndikon testimi”, shprehet Mike Ryan.
Këto javët e fundit, disa shtete dhe liderë federalë e kanë minimizuar situatën e virusit, duke ia faturuar rritjen e shifrave të të prekurve faktit që po bëhen më shumë teste. Presidenti Trump madje të shtunën u kërkoi zyrtarëve të “ ngadalësojnë testimet”, duke përsëritur pretendimin se numri i madh i tyre është arsyeja përse Amerika ka më shumë raste në botë.
Më herët, drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka thënë se “kërcënimi më i madh me të cilin përballemi tani nuk është vetë koronavirusi, por mungesa e solidaritetit dhe udhëheqjes globale”.
“Ne nuk mund ta mposhtim këtë pandemi me një botë të ndarë”, tha ai gjatë një video konference për media.Në të gjithë botën, më shumë se 9 milionë njerëz janë konfirmuar si të infektuar nga koronavirusi dhe më shumë se 471,000 kanë vdekur, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.