Duke marrë shkas nga rritja e numrit të prekurve me koronavirus veçanërisht në ndërmarrje, Ministria e shëndetësisë u bën apel bizneseve dhe kompanive të ndryshme që nëse është e mundur të punohet nga shtëpia, të nxisin këtë mënyrë alternative për të penguar përhapjen e virusit.
“Nisur nga fakti se po zbulohen raste pozitive në disa ndërmarrje, subjekte tregtare apo institucione të ndryshme publike dhe private, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale rekomandon bizneset, institucionet, kompanitë, kudo ku është e mundur puna nga shtëpia, të nxisin këtë mënyrë alternative për të frenuar përhapjen e Covid19”, tha Dr. Rovena Daja nga Instituti i Shëndetit Publik.
Doktoresha tha se rregullat e karantinës për personat e prekur duhet të zbatohen në mënyrë rigoroze. “Kujtojmë edhe një herë se çdo rast i identifikuar, qoftë edhe pa shenja, duhet të izolohet dhe se thyerja e karantinës është e dënueshme pasi rrezikon shëndetin e qytetarëve. Me organet e rendit po intensifikohet puna për të garantuar respektimin e karantinës së detyrueshme për personat e prekur nga Covid19”, shtoi ajo.