Austria është një vend mik, aleat dhe përkrahës i Shqipërisë në procesin e integrimit europian. Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti sot ambasadorin e Austrisë, Christian Steiner, me rastin e fillimit të detyrës së tij në Shqipëri. Gjatë takimit, kryetari Ruçi vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira dhe intensive midis Shqipërisë dhe Austrisë dhe shkëmbimin intensiv të vizitave të nivelit të lartë midis dy vendeve.
Kryetari Ruçi i shprehu Ambasadorit Steiner mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë për çeljen e negociatave dhe kërkoi mbështetjen e Austrisë për zhvillimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare BE-Shqipëri gjatë Presidencës gjermane të BE-së, në 2020. Kryetari i Kuvendit vlerësoi bashkëpunimin intensiv midis parlamenteve të dy vendeve dhe vizitat e nivelit të lartë gjatë dy viteve të fundit, të cilat e kanë intensifikuar e fuqizuar këtë bashkëpunim.
“Fryt i tyre është edhe nënshkrimi marrëveshjes midis të dy parlamenteve për ngritjen në Kuvendin e Shqipërisë të Punishtes së Demokracisë, sipas modelit të Parlamentit të Austrisë. Punishtja e Demokracisë është një ndihmë e madhe për rritjen e kontributit të parlamenteve tona në edukimin demokratik të qytetarëve, sidomos brezit të ri të Shqipërisë, shkëmbimin e njohurive dhe nxitjen e interesit të tyre për politikën dhe proceset demokratike, edukimin qytetar dhe sundimin e ligjit”, vuri në dukje Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Austria bën pjesë në grupin e investitorëve më të mëdhenj në Shqipëri. Investimet e huaja direkte nga Austria kanё ardhur nё rritje nё Shqipёri. Kryetari Ruçi dhe Ambasadori Steiner biseduan edhe mbi mundësitë për rritjen e investimeve austriake në Shqipëri. Kryetari Kuvendit, Gramoz Ruçi, e falenderoi Ambasadorin Steiner edhe për ndihmën që Austria i dha Shqipërisë për përballimin e pasojave dhe fazën e rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit si edhe mbështetjen për përballimin e pasojave të pandemisë së koronavirusit.
Ruçi i kërkoi Ambasadorit Steiner që Austria të intensifikojë mbështetjen e saj për njohjen e Kosovës, sidomos nga pesë vendet e BE-së, që nuk e kanë njohur ende, për liberalizimin e vizave për shtetasit kosovarë dhe nxitjen e dialogut me Serbinë. Ambasadori Christian Steiner vuri në dukje se Austria e konsideron Shqipërinë një ndër vendet e preferuara për të bashkëpunuar. Ky bashkëpunim nuk u ndërpre as gjatë pandemisë. Më 28 maj, Ministri i Jashtëm Schallenberg dhe Ministrja për BE-në Stadtler erdhën në Tiranë dhe u takuan me Ministrin në detyrë Cakaj, në kuadrin e asistencës austriake për vendet e Ballkanit Perëndimor për të përballuar pasojat e pandemisë.
“25 marsi, dita e vendimit për çeljen e negociatave është një ditë e rëndësishme për Shqipërinë dhe Austria do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë edhe gjatë zhvillimit të negociatave. Shpresojmë që Konferenca e Parë Ndërqeveritare BE-Shqipëri të mblidhet sa më shpejt. Austria do të vazhdojë gjithashtu mbështetjen për njohjen e Kosovës, liberalizimin e vizave dhe dialogun me Serbinë.”, theksoi Ambasadori Christian Steiner.