Ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim nënshkroi një grant prej pothuajse 800 mijë dollarë të Fondit të Ambasadorëve për Trashëgiminë Kulturore, për restaurimin e fortifikimeve në Krujë, Durrës, dhe Prezë, të cilat u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit. Kim ka vizituar ditën e djeshme kalanë e Krujës së bashku me ministren e Kulturës Elva Margariti, ku edhe nënshkroi Memorandumin e Mirëkuptimit “Për zbatimin e projekteve të financuara nga grantet e Fondit të Ambasadorit për Trashëgiminë Kulturore”. Kim shprehu kënaqësinë të ishte pjesë e procesit të ringritjes së monumenteve të kulturës, të dëmtuara pas tërmetit, mes të cilave edhe monumenti i zgjedhur për të nënshkruar këtë memorandum.
Teksa shprehu adhurimin për Heroin Kombëtar Shqiptar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, ambasadorja tha: “Shënojmë fillimin e projektit për restaurimin e disa monumenteve kulturore të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Tërmeti mund të ketë shkatërruar ndërtesa, por nuk ka dëmtuar shpirtin e popullit shqiptar dhe jam shumë e kënaqur që ndodhemi këtu për projektet në Durrës, Krujë dhe Prezë. Prej vitit të themelimit, në 2001, Fondi i Ambasadorit për Trashëgiminë Kulturore, ka ofruar mbështetje për më shumë se një mijë projekte, në mbi 125 vende të botës. Këto angazhime tregojnë se sa thellë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës respektojnë trashëgiminë kulturore të vendeve të tjera, por mbi të gjitha, dëshirën tonë, që miqtë tanë të mund ta ruajnë atë. Në Shqipëri ne kemi kontribuuar në shumë projekte përmes fondit të Ambasadorit, si restaurimi i Galerisë 3 në Kalanë e Gjirokastrës; dokumentimin e muzikës polifonike dhe restaurimin e Kullës së Shatit, në Tiranë. Jam shumë e lumtur të nënshkruaj sot, së bashku me Ministren e Kulturës, Elva Margariti, këtë Memorandum Mirëkuptimi, prej 800 mijë dollarësh për restaurimin e fortifikimeve në Krujë, Durrës dhe Prezë. Duke pasur parasysh rëndësinë e Kalasë së Krujës, mund të them, se ky është projekti më i madh i Fondit të Ambasadorëve për Trashëgiminë Kulturore”.
Ambasadorja falënderoi të gjithë partnerët që kanë kontribuuar në rimëkëmbjen e Shqipërisë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, në fushën e trashëgimisë kulturore. Ministrja Margariti tha se dëshmi se si trashëgimia kulturore mund të kthehet në një faktor zhvillimi jo vetëm lokal, por kombëtar.