Nga sot nis dëmshpërblimi i familjeve të prekura nga tërmeti për riparimin e banesave të tyre në Shijak. Në një intervistë për tirananews.al, Kryetari i Bashkisë së Shijakut, Elton Arbana sot ka bërë të ditur lajmin e shumëpritur për familjet e prekura nga tërmeti. Ai u bën thirrje qytetarëve të prekur nga tërmeti në nivelin DS1, DS2 dhe DS3 që të paraqiten pranë Bashkisë ose Njësive Administrative ku jetojnë për të lidhur kontratën për përfitimin e shumës që i takon në bazë të vlerësimit.

Kush e përfiton këtë dëmshpërblim? Me kalimin e Granteve të Rindërtimit të gjithë familjet, banesat e të cilave janë dëmtuar në shkallën DS1, DS2 dhe DS3 mund të përfitojnë shumën e caktuar në bazë të dëmit që i është bërë.

Si është përcaktuar kjo shumë? Kjo është përcaktuar nga vlerësimi që i është bërë dëmeve të banesave të familjeve që kanë aplikuar te portali “Shtëpia ime”. Madje jemi treguar të kujdesshëm dhe kemi zgjedhur përfituesit që i takojnë kësaj kategorie, ndërsa listat janë vendosur në këshillin bashkiak.

Sa familje përfitojnë nga ky dëmshpërblim? Në Bashkinë Shijak janë 1174 banesa individuale dhe 27 banesa kolektive, pra pallate që përfitojnë nga Grantet e Rikonstruksionit. Punimet, qytetarët mund t’i bëjnë vetë apo dhe me bashkinë dhe qeveria i subvencionon në bazë të aktit normativ.

Si do të procedohet për shpërndarjen e këtyre pagesave te qytetarët? Qytetarët e prekur nga tërmeti në nivelin DS1, DS2 dhe DS3 siç e përmenda më lart, mund të paraqiten pranë Bashkisë ose Njësive Administrative ku jetojnë për të lidhur kontratën për përfitimin e shumës që i takon në bazë të vlerësimit që i është bërë paraprakisht për dëmin e banesës. Duhet të paraqiten me një kartë identiteti dhe një numër llogarie bankare. Qeveria shqiptare ka miratuar rreth 513 milionë lekë vetëm për Bashkinë tonë për vitin 2020.

Shijaku është bashkia e parë që ka finalizuar me sukses këtë proces? Falë mbështetjes së Kryeministrit, Qeverisë shqiptare dhe punës së palodhur të stafit ne ja kemi dalë për të finalizuar me sukses edhe këtë fazë të Rindërtimit. Në emër të gjithë familjeve të prekura nga tërmeti falenderoj Kryeministrin për mbështetjen që na dha për një shpresë të re që i ka sjellë Shijakut.